Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi New York Times raporton se Pentagoni i ka dorëzuar presidentit Donald Trump një plan të detajuar për një sulm të mundshëm ndaj Republikës Islamike. Sipas gazetës amerikane, dilema në Uashington nuk është më nëse do të ndërhyhet, por si dhe kur do të realizohet operacioni.
Në një reagim të ashpër, presidenti i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, paralajmëroi se në rast sulmi nga SHBA-ja, ushtria amerikane dhe Izraeli do të konsiderohen “objektiva legjitime”. Këto janë deklaratat e para zyrtare nga Teherani që përfshijnë drejtpërdrejt Izraelin në listën e objektivave të mundshëm të një kundërpërgjigjeje iraniane. Kërcënimi u bë në parlament, mes thirrjeve “Vdekje Amerikës!” nga deputetët.
Ndërkohë, Izraeli është vendosur në gjendje gatishmërie maksimale përballë mundësisë së një ndërhyrjeje amerikane në Iran. Sipas Times of Israel, që citon Reuters, skenari i një operacioni të tillë është diskutuar edhe në një bisedë telefonike mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Autoritetet iraniane kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara për protestat masive që shpërthyen dy javë më parë në Teheran për shkak të vështirësive ekonomike dhe që më pas u përhapën në të gjithë vendin, duke u shndërruar në thirrje për largimin e establishmentit fetar. Nga ana e tij, Trump ka deklaruar se SHBA-ja është “gati të ndihmojë” lëvizjen protestuese, duke paralajmëruar se Irani ndodhet në “telashe të mëdha” për mënyrën se si po i shtyp demonstratat.
Sipas New York Times, plani i Pentagonit përfshin një listë objektivash të mundshëm, përfshirë edhe objekte jo ushtarake në Teheran. Megjithatë, krahu më i përmbajtur i administratës po përpiqet ta shtyjë presidentin drejt një vendimi më të vonuar.
Protestat kundër qeverisë vazhduan edhe gjatë natës së së shtunës, pavarësisht një shtypjeje të fortë dhe ndërprerjes së internetit në pjesë të mëdha të vendit. Organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë dhjetëra të vrarë dhe shprehin shqetësim për ashpërsimin e represionit. Video të nxjerra fshehurazi tregojnë spitale dhe morgje të mbingarkuara, ndërsa prokurori i përgjithshëm iranian ka paralajmëruar dënime me vdekje për protestuesit.
Sipas monitoruesve të NetBlocks, qarkullimi i informacionit nga Irani mbetet minimal, me lidhje interneti pothuajse zero që prej së enjtes.









