Një aksident i rëndë ajror është shënuar në Kolumbi, ku një avion është rrëzuar menjëherë pas ngritjes nga pista, duke shkaktuar humbjen e jetës së gjashtë personave.
Sipas autoriteteve të aviacionit civil kolumbian, avioni u rrëzua pak çaste pasi u ngrit nga Aeroporti Paipa, në departamentin Boyacá. Mes viktimave është edhe këngëtari i njohur 34-vjeçar Yeison Jiménez, së bashku me pilotin dhe katër anëtarë të stafit të tij.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur aeroplani tenton të ngrihet në ajër, por humbet kontrollin dhe përplaset me shpejtësi të madhe në një fushë pranë pistës, duke u përfshirë nga flakët.
Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë dhe po hetohet nga autoritetet, ndërsa dëshmitarë në vendngjarje dyshojnë për një defekt të mundshëm në njërin prej dy motorëve të avionit.









