Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka zhvilluar në Athinë takimin e parë me përfaqësuesit e fermerëve, pas disa javësh protestash të shtrira në të gjithë Greqinë.
Fermerët kishin akuzuar qeverinë për vonesa në dhënien e ndihmave bujqësore, si edhe për pasojat e marrëveshjes tregtare të Bashkimit Evropian me Amerikën Latine. Pas bisedimeve me një delegacion prej 21 përfaqësuesish, Mitsotakis deklaroi se qeveria ka pranuar dhe adresuar një pjesë të kërkesave, përfshirë uljen e taksës së karburantit, reduktimin e kostove të energjisë elektrike dhe kompensime për sektorin e blegtorisë.
Sipas autoriteteve greke, masat e ndërmarra pritet të përfitojnë rreth 600 mijë fermerë, peshkatarë, blegtorë dhe bletërritës në të gjithë vendin.
“Që në fillim, qeveria tregoi tolerancë ndaj protestave, duke njohur vështirësitë reale të fermerëve. Për këtë arsye iu përgjigjëm një pjese të konsiderueshme të kërkesave, duke kërkuar një dialog të sinqertë”, u shpreh Mitsotakis.
Megjithatë, jo të gjithë fermerët e pranuan ftesën për dialog. Një pjesë e tyre e konsideruan takimin të pamjaftueshëm dhe jo përfaqësues për të gjitha sektorët, duke vijuar protestat dhe bllokadat në akse kryesore rrugore dhe në pikat kufitare, çka ka sjellë vonesa në transport dhe dëme për bizneset.









