PROTESTE, PIJE E KENGE/ Debate gjatë natës me policinë – Lapaj denoncon ndërhyrjen: “Na u ndërhy pse po këndonim”

Gjatë orëve të vona të natës, Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij janë përfshirë sërish në përplasje me Policinë e Shtetit, në vazhdën e protestës që po zhvillohet prej më shumë se një muaji.

Sipas Lapajt, ndërhyrja policore u shkaktua nga çadra e improvizuar e mbuluar me plasmas, e ngritur nga protestuesit për t’u mbrojtur nga temperaturat e ulëta. Ai pretendon se efektivët kanë tërhequr mbulesën plastike të tendës dhe kanë rrëzuar karrige e sende të tjera të protestës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Lapaj e ironizoi ndërhyrjen duke e quajtur pjesë të operacionit “Plastmasi”. Sipas tij, rreth 35 punonjës policie janë paraqitur në orën 00:57 dhe kanë sekuestruar plasmasin e tendës, pasi kishin marrë informacion se protestuesit po këndonin.

Duke ironizuar arsyetimin e policisë, Lapaj thekson se protesta ka hyrë në ditën e 37-të pa ndërprerje. “Si mund të këndonim në ditën e 37-të të protestës pa ndalim? Duhet të ishim larguar prej kohësh… Edi Rama ka halle të tjera”, shprehet ai.

Në përfundim, Lapaj u bën thirrje qytetarëve për një protestë masive ditën e shtunë, më 17 janar, në orën 18:00, në shesh, kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.