NGAZELLIMI/ Trump e fton në Bordin e Paqes – Rama “fluturon” nga gëzimi dhe ndan lajmin: Shqipëria në një nivel të ri ndërkombëtar

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria është ftuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e iniciuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në një reagim publik, Rama e cilësoi këtë ftesë si një moment historik dhe si dëshmi të rritjes së rolit dhe prestigjit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, vendi ynë është ftuar si anëtar themelues i kësaj strukture, çka përfaqëson një arritje të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë.

“Jam shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij. Shqipëria ftohet si anëtare themeluese, duke u ngjitur kështu në një tjetër majë ndërkombëtare, krejt të paimagjinueshme deri pak kohë më parë,” u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu krenarinë për transformimin e Shqipërisë dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara. Ai vlerësoi ftesën e Presidentit Trump si shenjë respekti dhe vlerësimi të veçantë ndaj Shqipërisë dhe rolit të saj në partneritetin mes dy vendeve.

“Pa diskutim, kjo është edhe një dëshmi e nivelit ku kemi ngritur partneritetin strategjik me SHBA-në, duke u ftuar të punojmë së bashku në një bord ndërkombëtar të krijuar dhe të kryesuar nga vetë Presidenti Trump,” shkruan Rama, duke e mbyllur reagimin me mesazhin:

“Thank you, Mr. President. God bless Albania and the United States.”

Çfarë është Bordi i Paqes?

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka zyrtarizuar krijimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes” për Gazën, një strukturë e re që synon administrimin e përkohshëm dhe rindërtimin e territorit pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Mes anëtarëve themelues të bordit janë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, në bordin ekzekutiv themelues bëjnë pjesë gjithashtu i dërguari i posaçëm i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Ëitkoff, dhëndri i presidentit Jared Kushner, drejtuesi i një fondi investimesh Marc Roëan, presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga, si dhe këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare Robert Gabriel. Vetë Trump do të kryesojë bordin, që është pjesë e planit të tij me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Bordi pritet të mbikëqyrë përkohësisht procesin e rindërtimit, ndërsa anëtarë të tjerë do të emërohen në javët në vijim. Paralelisht, është krijuar edhe një komitet teknokratik palestinez me 15 anëtarë për administrimin e përditshëm të Gazës pas luftës.

Plani amerikan parashikon gjithashtu vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi për garantimin e sigurisë dhe çarmatimin e plotë të Hamasit. Ndërkohë, situata në terren mbetet e brishtë, me shkelje të vazhdueshme të armëpushimit dhe një krizë të thellë humanitare në territor.