Shtatë persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në vendbanimin informal Marikana, në komunën Phillippi, në zonën Cape Flats pranë qytetit Cape Town, njoftoi policia e Afrikës së Jugut.
Sipas hetimeve paraprake, autoritetet dyshojnë se ngjarja lidhet me një grabitje. Shërbimi Policor i Afrikës së Jugut (SAPS) bëri me dije se viktimat janë një grua dhe gjashtë burra, të moshës nga 30 deri në 50 vjeç.
“Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe deri tani nuk ka persona të arrestuar,” deklaroi policia, duke shtuar se është nisur një operacion i gjerë kërkimi dhe hetimet vijojnë.
Ky sulm është i fundit në një seri të shtënash masive që kanë tronditur Afrikën e Jugut, një vend me rreth 63 milionë banorë, i cili përballet prej vitesh me nivele të larta krimi dhe korrupsioni, shpesh të lidhura me rrjete të krimit të organizuar.
Sipas statistikave zyrtare të policisë, gjatë periudhës korrik–shtator të vitit të kaluar, në Afrikën e Jugut vriteshin mesatarisht 63 persona në ditë. Vetëm gjatë muajit dhjetor, 24 persona, përfshirë edhe fëmijë, u vranë në dy sulme të ndara masive, një në një hostel dhe një tjetër në një bar.









