EDITORIAL/ Kombinati “flet” sërish: Alimehmeti krah Berishës në degën ku u “ndëshkua” Salianji

Pjesëmarrja e Ilir Alimehmetit në foltoren e zhvilluar në Degën 6 të Partisë Demokratike, në Kombinat, nuk është një detaj i rastësishëm politik, por një mesazh i qartë me simbolikë të fortë brenda dinamikave të brendshme të PD-së.

Kjo degë ka qenë më herët një pikë kyçe e përplasjes politike brenda partisë. Pikërisht në Degën 6, Ervin Salianji u përcaktua si i deleguar politik gjatë një fushate të mundshme për Bashkinë e Tiranës, ku si kandidat përmendej Florian Binaj. Në atë kohë, Salianji kishte një rol të qartë organizativ dhe politik, duke përfaqësuar linjën zyrtare të drejtimit të partisë.

Megjithatë, ky realitet ndryshoi rrënjësisht në momentin kur Salianji shpalli publikisht lëvizjen e tij politike në krah të Sali Berishës, bashkë me Ilir Alimehmetin. Menjëherë pas këtij pozicionimi, Salianji u shkarkua nga detyra e deleguarit politik në Degën 6, Kombinat, duke e kthyer këtë degë në një simbol të përjashtimit dhe ndarjes brenda PD-së.

Sot, rikthimi i Alimehmetit në këtë territor politik, këtë herë në krah të “Doktorit”, ka një domethënie të shumëfishtë. Prania e tij pranë Sali Berishës – të cilin mbështetësit e quajnë “Legjenda” – pikërisht në Kombinat, shihet si një akt politik i menduar, që synon të rikonfirmojë ndikimin dhe mbështetjen e kësaj rryme në bazë, aty ku më parë janë marrë vendime ndëshkuese ndaj figurave të saj.

Foltorja në Degën 6 nuk ishte thjesht një ndalesë në kalendarin e takimeve, por një rikthim simbolik në një territor ku konfliktet e brendshme të PD-së janë shfaqur hapur. Shfaqja e Alimehmetit në krah të Berishës në Kombinat përçon mesazhin se beteja për kontrollin politik dhe moral të partisë vazhdon, dhe se territoret që dikur u konsideruan të “mbyllura” për këtë rrymë, sot po rivendikohen publikisht.Në këtë kuptim, Kombinati, përtej një dege partie, po i ngjan si një vendi “ndëshkimi” për çdo zë rebel ndaj lidershipit, ashtu edhe një vendi “autokritike” për të penduarit që e kuptojnë më herët se tu shkojë vonë që “shpatullat” e tyre nuk janë të standarteve që do të mund të përballonin angazhimet që u goje pa i bërë hesapet me “hanxhinë” e partisë.