Gjithçka duket e vendosur, tashmë pritet vetëm zyrtarizimi. Zinedine Zidane është një hap larg marrjes së drejtimit të përfaqësueses franceze dhe pritet të ulet në pankinën e “Bluve” pas përfundimit të Botërorit të verës së ardhshme, pavarësisht rezultateve që Franca do të arrijë në turneun më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Pas 14 vitesh në krye të kombëtares, Didier Deschamps do të largohet nga drejtimi i ekipit kombëtar, duke mbyllur një epokë të artë për futbollin francez. Gjatë kësaj periudhe, ai udhëhoqi Francën drejt titullit kampion bote në vitin 2018, triumfit në Nations League në 2021, si dhe dy finaleve madhore: Euro 2016 dhe Botërori 2022.
Arritje të jashtëzakonshme për Deschamps, i cili pati në dispozicion një brez futbollistësh të nivelit absolut botëror. Mjafton të kujtohet fakti se Franca fitoi Kupën e Botës në Rusi më 2018 pa Karim Benzema në skuadër, në një kohë kur sulmuesi ishte ndër më të mirët në skenën ndërkombëtare.
Stafetën tani pritet ta marrë ish-shoku i tij i skuadrës, Zinedine Zidane, me të cilin Deschamps ka ndarë suksese të mëdha si futbollist: një Kupë Bote dhe një Kampionat Evropian. Zidane përfaqëson profilin e rrallë të një kampioni absolut në fushë, që ka arritur të jetë po aq i suksesshëm edhe si trajner, duke rrëzuar mitin se yjet e mëdhenj dështojnë në pankinë.
Historia e futbollit njeh pak raste të tilla: Cruyff dhe Beckenbauer ia dolën, ndërsa Maradona, Platini apo Pele ose dështuan, ose nuk e provuan kurrë realisht këtë rrugë. Zidane, në anën tjetër, hyri në histori me Real Madridin, duke fituar tre Liga Kampionësh radhazi, një rekord i papërsëritur më parë.
Suksesi i tij lidhet jo vetëm me trofetë, por edhe me aftësinë për të menaxhuar yje, një cilësi thelbësore për drejtimin e një kombëtareje plot individualitete. Nuk është rastësi që Florentino Perez e riktheu dy herë në pankinën e “Los Blancos”, ashtu siç bëri edhe me Carlo Ancelottin.
Zidane njihet si trajner jo integralist, që di të shfrytëzojë maksimalisht bashkëpunimet automatike mes lojtarëve me cilësi superiore individuale – një avantazh i madh në futbollin e kombëtareve. Për aspektin taktik, ai i beson asistentit të tij besnik, David Bettoni, emër që Zidane e ka përmendur tashmë si pjesë të stafit të ardhshëm teknik të Francës.
Emrat e tjerë të stafit mbeten ende të panjohur. Sipas së përditshmes franceze L’Equipe, Federata Franceze e Futbollit po synon të shmangë kostot e larta financiare, sidomos duke pasur parasysh se Deschamps ka punuar prej vitesh me një staf prej 19 anëtarësh.
Franca përgatitet për një kapitull të ri. Dhe në krye të tij pritet të jetë një emër legjendar: Zinedine Zidane.









