Kreu i ASHM, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestat masive që po zhvillohen në Iran kundër regjimit teokratik të ajetullahëve, duke i cilësuar ato si një përpjekje të vendosur të popullit iranian për liri dhe demokraci.
Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se kryengritja po përballet me dhunë të rëndë shtetërore, e cila, sipas tij, ka sjellë dhjetëra viktima, duke dënuar ashpër represionin e autoriteteve iraniane ndaj protestuesve paqësorë. Ai shprehu solidaritetin e plotë me qytetarët iranianë në betejën e tyre kundër diktaturës teokratike.
Sipas Berishës, protestat kanë shpërthyer prej dy javësh në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit dhe po udhëhiqen nga Organizata e Muxhahedinëve të Popullit, të cilën ai e cilësoi si opozitën më të fuqishme që prej dekadash lufton për një Iran të lirë dhe demokratik.
Duke iu referuar situatës në terren, Berisha deklaroi se në disa qytete pushteti ka kaluar në duart e kryengritësve, ndërsa regjimi, sipas tij, ka angazhuar forca mercenare nga vende të tjera. Ai shtoi se Garda Revolucionare Islamike ka hapur zjarr ndaj protestuesve, duke shkaktuar deri më tani mbi 44 viktima.
Në fund, Berisha përmendi edhe qëndrimin e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili, sipas tij, ka paralajmëruar autoritetet iraniane që të ndalojnë dhunën ndaj protestuesve.









