Turqia po synon t’i bashkohet një marrëveshjeje mbrojtjeje të nënshkruar mes Arabisë Saudite dhe Pakistanit, duke hapur rrugën për krijimin e një aleance të re sigurie me ndikim në Azinë Jugore, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Lajmi raportohet nga Bloomberg, duke cituar burime të njohura me zhvillimet.
Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në shtator mes Riadit dhe Islamabadit, parashikon reagim të përbashkët në rast agresioni ndaj njërit prej vendeve anëtare, një mekanizëm i ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, sipas të cilit sulmi ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Burimet bëjnë me dije se bisedimet për përfshirjen e Turqisë ndodhen në një fazë të avancuar dhe se arritja e një marrëveshjeje shihet si e mundshme në një afat relativisht të shkurtër.
Interesat strategjike të Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit po konvergojnë gjithnjë e më shumë në disa rajone kyçe, duke nxitur thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Për Ankaranë, ky pakt shihet si një mundësi për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe parandalimin strategjik, në një kohë kur ekzistojnë pasiguri mbi angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe qëndrimin e Presidentit Donald Trump ndaj NATO-s, aleancë ku Turqia është anëtare.
Sipas analistit Nihat Ali Özcan nga instituti kërkimor TEPAV në Ankara, Arabia Saudite do të kontribuonte me burime të mëdha financiare, Pakistani me kapacitete bërthamore, raketa balistike dhe fuqi njerëzore, ndërsa Turqia me përvojën e saj ushtarake dhe industrinë e zhvilluar të mbrojtjes.









