Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Foltorja e Elbasanit shprehu pendesën e forcës politike, me gabimin që bënë për firmat e dhëna nga deputetët opozitarë për Avokat të Popullit, kandidatit Endri Shabani.
Ai shpjegoi para mbështetësve dhe shqiptarëve se ky ishte një gabim që duhet pranuar dhe kërkuar ndjesë, por firmat ishin dhënë në kohën kur Shabani i ishte bashkuar opozitës për kandidaturën e aktorit Florjan Binaj për kryebashkiak të Tiranës.
Berisha ironizoi edhe kryeministrin, duke e uruar me një “E gëzoftë Shabanin”, teksa e cilësoi të votuarin nga mazhoranca në Kuvend si “avokat të kryeministrit”.
“Gabim ishte, e pranoj dhe ju jeni të shqetësuar. Gabim ishte ajo me firmat e Endri Shabanit, avokatit të Edi Ramës, dhe unë ju kërkoj ndjesë”, tha Berisha.
Kreu i selisë blu vijoi shpjegimin e tij:
“U dhanë ato firma në periudhën kur pati mbështetje ndaj kandidatit tonë të Tiranës dhe ato firma u tërhoqën menjëherë, secili nga deputetët i hoqi ato firma menjëherë”.
Në fund edhe një urim me “thumb” për kryeministrin nga distanca. Berisha paralajmëroi se nesër do mbledhë Kryesinë për të nisur revoltat dhe përballjen me qeverinë që ka kapur të gjitha pushtetet.
“Ai e gëzoftë Shabanin e tij, por ne nesër do mbledhim Kryesinë dhe do vendosim, kryesia do angazhohet për betejën finale dhe do marrë vendimin për këtë betejë finale”.
“Duam qeveri teknike”- Berisha rrëfen dy episode me “armiken non grata” Glover më 2009 dhe 2017
Opozita kërkon qeveri teknike, pasi me Edi Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira dhe nuk do pranohet që të mbahen.
Kryetari i PD, Sali Berisha, shpjegoi nga Foltorja e Elbasanit pas pyetjeve që i bënë mbështetësit e pranishëm, se në vitin 2009 ai bëri ligj para zgjedhjeve ku ndalohej administrata në fushatë dhe vetë ai mori makinë me qira për takimet elektorale.
Kurse kryeministri Rama që nga 2017 e ka shkelur dhe ka provuar se me të nuk ka zgjedhje të ndershme dhe të lira. Dhe këto episode ai i shpjegoi me raportet që ka mbajtur ‘armikja’ e PD-së, Audrey Glover, që erdhi si drejtuese e misionit ndërkombëtar për raportin zgjedhor.
“Më 2009 erdhi këtu një armike e jona, ju e dini, për zgjedhjet, Audrey Gloveri, unë e kisha shpallur atë non grata. Në kombinim me të, Rama tha o pranohet ajo o nuk hyj në zgjedhje. E pranova, nuk mund t’i jepja atij letër në dorë. Dy muaj para zgjedhjeve nxora një ligj që ndalonte daljen e administratës në fushatë elektorale, vetë mora makinë me qira, më mori një makinë partia dhe me të dola në fushatë. E gjitha administrata me të njëjtin ligj”, tha kreu i selisë blu.
Dhe këtë moment e krahasoi me zgjedhjet e vitit 2017, ku administrata sipas raportit po të mbajtur nga Glover, u përdor masivisht në zgjedhje.
“Kjo zonjë, në raportin që publikoi tha se zgjedhjet plotësuan standardin e zgjedhjeve të lira dhe kryeministri para zgjedhjeve nxori një vendim që ndaloi administratën për fushatë. E njëjta ishte kjo edhe më 2017 dhe bëri raportin se Edi Rama nuk respektoi ligjin për përdorimin e administratës. Ndaj them dhe unë, se zgjedhje me Edi Ramën nuk ka”, tha ai.
Në fund Berisha përsëriti angazhimin e demokratëve në revolta për përmbysjen e qeverisë, duke kërkuar madje edhe qeveri teknike.
“Ne kërkojmë qeveri teknike, pa diskutim, faktet i kemi, raportin e kemi, nuk ia dorëzojmë një njeriu që është i zhytur nga koka te këmbët”.









