KERCENIMI DIGJITAL/ SHBA i dhuron Shqipërisë pajisje të avancuara për sigurinë kibernetike

SHBA i dorëzon Shqipërisë pajisje të avancuara për siguri kibernetike, duke forcuar mbrojtjen e infrastrukturës shtetërore përballë kërcënimeve digjitale

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar sot se muajin e kaluar Zëvendës Shefja e Misionit në detyrë, Kathryn Hammond, i ka dorëzuar Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike një sërë pajisjesh të avancuara për mbrojtjen e rrjeteve.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës në Facebook, pajisjet synojnë të rrisin aftësitë teknike të institucioneve shqiptare në përballjen me kërcënimet gjithnjë e më të shpeshta në hapësirën digjitale.

“Muajin e kaluar, Zëvendës Shefja e Misionit në detyrë Kathryn Hammond i dorëzoi pajisje të avancuara për mbrojtje të sigurt të rrjetit Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, si pjesë e mbështetjes së fortë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për forcimin e sigurisë kibernetike në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.

Ambasada thekson se në një mjedis global gjithnjë e më të digjitalizuar, siguria kibernetike përfaqëson një element kyç të sigurisë kombëtare dhe asaj rajonale, duke pasur rol të rëndësishëm edhe në kuadër të angazhimeve të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura që kanë mbështetur Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes së saj kibernetike – duke çuar përpara sigurinë rajonale dhe atë të NATO-s”, përfundon njoftimi.

Ndërkohë, në nëntor, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) prezantoi Metodologjinë Kombëtare për Vlerësimin e Rrezikut të Sigurisë Kibernetike, një dokument strategjik që për herë të parë përcakton hapat, burimet dhe standardet për matjen dhe menaxhimin e rrezikut në nivel institucional.

Aktiviteti mblodhi rreth 300 përfaqësues nga institucionet publike dhe private që administrojnë infrastrukturat kritike të informacionit – sistemet që garantojnë funksionimin e shërbimeve jetike të vendit.

Në hapje të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Igli Tafa, theksoi se të dhënat dhe informacioni janë arma më e fuqishme e një shteti, duke bërë thirrje për një kulturë të përbashkët në menaxhimin e rrezikut kibernetik.

“Vetëm duke folur me një gjuhë të përbashkët për rrezikun mund të kalojmë nga një shoqëri reaguese në një shoqëri parandaluese. Duhet të ndërtojmë besim, të ndajmë informacionin dhe të investojmë në standarde dhe kapacitete njerëzore”, u shpreh Tafa.

Ai shtoi se inteligjenca artificiale po shndërrohet në një mjet të dyfishtë – njëkohësisht ndihmë për mbrojtjen dhe kërcënim i mundshëm në duar të gabuara – duke kërkuar përgjegjësi dhe etikë në përdorimin e saj.

Metodologjia e re, e hartuar nga ekspertët e AKSK-së, synon të krijojë një sistem të unifikuar për vlerësimin e rrezikut në çdo institucion publik apo privat, duke mundësuar identifikimin më të shpejtë të cenueshmërive dhe parandalimin e sulmeve.

Sipas AKSK-së, kjo është baza për ndërtimin e një “mburoje të përbashkët” digjitale, ku çdo aktor kontribuon në sigurinë kombëtare.