Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur kandidatin e saj për kryeministër të Kosovës. Këshilli i Përgjithshëm, në një mbledhje të mbajtur të mërkurën në Prishtinë, ka caktuar liderin e partisë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të udhëhequr sërish këtë subjekt politik përmes procesit zgjedhor që është caktuar për 28 dhjetor.
“Jemi para zgjedhjeve të reja pa dëshirën time dhe pa vullnetin e Lëvizjes sonë, por si pasojë e refuzimit nga subjektet tjera për të pasur çfarëdo bashkëpunimi me neve. S’po arrijnë ta pranojnë realitetin, sidomos disa prej tyre, të cilave edhe iu ofruam bashkëpunim”, ka deklaruar Kurti pas marrjes së besimit nga anëtarët e LVV-së.
E raundi i ri zgjedhor në Kosovë vjen mes tensioneve politike dhe paralizës institucionale që ka prekur edhe jetën socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës, duke qenë se vendi i vogël hyn në këtë fazë të re pa miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Kjo nuk është situatë që e duam, dhe as që e kemi menduar. Por, përfunduam këtu për shkak se këto parti, pas bllokimit për dhjetë muaj, krizën legale duan ta shndërrojnë në krizë sociale – njërëzit të ngelen pa paga, të shkaktohen deficite buxhetore e të ketë mungesë të pagesave të operatorëve ekonomikë”, ka theksuar të mërkurën Kurti.
Tek ka folur për të arriturat e qeverisë së tij përgjatë mandatit, ai ka përmendur edhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, duke i bërë jehonë përmirësimit të situatës së sigurisë në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.
“Ne kishim edhe krizën në veri të vendit për shkak të agresionit të Serbisë, ku komplet aparati shtetëtor i [presidentit serb, Aleksandër] Vuçiçit u angazhua për ta luftuar shtetin dhe posaçërisht qeverinë tonë, sepse shtet ka pasur edhe më herët, por qeveritë e tjera nuk vinin në konfrontim me Serbinë sepse preferonin pazare e kumari të ndryshme. Për herë të parë ne e kthyem sovranintetin në një hapësirë që qeverisej nga bandat kriminale e srtukturat paralele”, ka nënvizuar para Këshillit të Përgjithshëm.
Ai ka përsëritur disa nga premtimet kryesore gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke përfshirë heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian e implementimin e valutës digjitale të Kosovës, krahas përmirësimit të infrastrukturës në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.
Ndryshe, përpjekjet disa mujore të Kurtit për të siguruar një mandat të tretë në krye të ekzekutivit dështuan, duke qenë se as ai, as bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca, nuk arritën të fitojnë mbështetjen e deputetëve për formimin e qeverisë së re të Kosovës.









