URIM I FMN/ 100 vjetori i themelimit: Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë

Një urim i veçantë me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë erdhi edhe nga Kristalina Georgieva, Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në mesazhin e saj, Georgieva u shpreh se ky jubile nuk është vetëm një moment për të festuar jetëgjatësinë e institucionit, por një testament i qëndrueshmërisë dhe vizionit të Bankës së Shqipërisë përgjatë një shekulli.

Ajo vlerësoi se, ashtu si vetë shteti shqiptar, edhe Banka Qendrore ka kaluar nëpër periudha të vështira dhe sfiduese, por ka arritur të mbetet një shtyllë e stabilitetit ekonomik.

“Ky përvjetor nuk është thjesht një rast për të festuar jetëgjatësinë e Bankës së Shqipërisë, por gjithashtu një testament i qëndrueshmërisë së institucionit dhe vizionit të tij”, tha Georgieva.

Drejtoresha e FMN-së theksoi se Shqipëria renditet sot ndër vendet me rritjen ekonomike më të shpejtë në Europë, dhe se Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në këtë arritje falë politikave të qëndrueshme monetare dhe transparencës institucionale.

“Sot Shqipëria renditet midis vendeve me rritjen ekonomike më të shpejtë në Europë. Bravo! Në këtë arritje, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç, falë angazhimit të palëkundur ndaj politikës monetare të qëndrueshme dhe kuadrit rregullativ të kujdesshëm”, u shpreh ajo.

Georgieva nënvizoi se pavarësia e bankave qendrore është themel i qëndrueshmërisë kombëtare, duke theksuar se Banka e Shqipërisë ka ndërtuar një bazë të fortë për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.

Ajo gjithashtu përmendi sfidat e reja globale, si fragmentimi gjeopolitik, transformimi digjital, inteligjenca artificiale dhe ndryshimet demografike, të cilat kërkojnë përshtatje të vazhdueshme të politikave ekonomike.

“Shqipëria është e vendosur t’i bashkohet Bashkimit Europian dhe ka bërë përparime të qëndrueshme drejt këtij objektivi. Banka e Shqipërisë ka një rol thelbësor dhe me vizion të qartë në këtë rrugë. FMN do të vazhdojë të jetë një partnere e palëkundur në këtë udhëtim”, theksoi Georgieva.