Prokuroria Speciale e Kosovës tha se po heton rastin e therjes me mjete të mprehta të një zyrtari të Zyrës së Bashkimit Evropian, teksa nga kjo zyrë e bllokut evropian u shprehën “të tronditur” për rastin që ndodhi në Gjakovë më 4 nëntor.
“Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike”, tha për Radion Evropa e Lirë, Arbnora Luta, zyrtare e lartë për komunikim me publikun në Prokurorinë Speciale.
“Është duke u zhvilluar një hetim nga autoritetet për të zbardhur faktet. Prandaj, për shkak se hetimi po vazhdon, aktualisht nuk jemi në gjendje të ofrojmë detaje të tjera për këtë rast”, tha Gaon.
Detaje të hollësishme për rastin, që është klasifikuar si “vrasje në tentativë”, nuk është dhënë as nga Policia e Kosovës.
Në raportin 24-orësh të saj thuhet se ky shtetas i huaj në orët e mbrëmjes së 4 nëntorit ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjakovë. Ai, sipas Policisë ka pësuar dy plagë dhe me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkaq, media lokale Sinjali, duke u thirrur në burime, ka raportuar gjatë ditës se zyrtari i BE-së është therur në gjoks dhe qafë. Kjo media e ka identifikuar atë si Stefan Ilianov Sheynov, rreth 49 vjeç.









