TREGUESIT/ 92% e bizneseve kanë rritur fitimet këtë vit, ecuri më pozitive ndërtimi e tregtia

Rreth 92% e bizneseve në vend kanë raportuar fitime gjatë pjesës së parë të këtij vitit. Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë ecuria e shitjeve ka dhënë rezultate më të larta të ndërmarrjet e mëdha dhe ato të sektorit të ndërtimit dhe të tregtisë.

Performanca e mirë financiare ka ndikuar në uljen e nivelit të borxhit, ku rreth 33% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë aktualisht hua për të paguar, dhe kjo peshë ka rënë me 3 dhe 4 pikë përqindjeje, krahasuar me vitin e kaluar.

Rreth 85% e ndërmarrjeve e konsiderojnë të përshtatshëm nivelin e tyre të huamarrjes, 7% e konsiderojnë të ulët dhe 8% e konsiderojnë të lartë.

Krahasuar me vitin 2024, kërkesa për financim te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka mbetur e pandryshuar, ndërsa te ato të mëdha ka shënuar rënie. Sektori i shërbimeve vijon të ketë vlerën më të lartë të borxhit, ku 20% e ndërmarrjeve kanë deklaruar se kjo vlerë është e barabartë ose tejkalon vlerën e kapitalit.

Ndërkohë deri në fundit të vitit 2025, të tre grupet e ndërmarrjeve të mëdha, të vogla e të mesme, presin rritje të mëtejshme financiare.