TRAKTATI/ Putin propozoi zgjatjen e marrëveshjes bërthamore “New START” – Trump e mirëpret: Më tingëllon si një ide e mirë.

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj propozimit më të fundit të presidentit rus Vladimir Putin për zgjatjen e marrëveshjes bërthamore New START.

Gjatë një deklarate për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, Trump u pyet nga gazetarët lidhur me qëndrimin e tij për këtë propozim. Në një përgjigje të shkurtër, Trump u shpreh:

“Më tingëllon si një ide e mirë.”

Putin kishte ofruar që marrëveshja New START, e cila synon kufizimin e arsenaleve strategjike bërthamore mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të zgjatet edhe për një vit tjetër.

Ndërkohë, Kremlini ka deklaruar së fundmi se ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga Uashingtoni në lidhje me këtë propozim.

Marrëveshja New START, e cila është nënshkruar nga të dyja palët, është një ndër traktatet më të rëndësishme për kontrollin e armëve bërthamore dhe ka luajtur një rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit strategjik mes dy superfuqive.