Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Mertz, e cilësoi ditën e sotme si një “ditë të rëndësishme për librat e historisë”, jo vetëm për Lindjen e Mesme, por për të gjithë botën. Gjatë Samitit për Paqen në Gazë, të mbajtur në Sharm El-Sheikh të Egjiptit, ai shprehu shpresën se tashmë po nis një fazë e re paqeje dhe stabiliteti, ku Gjermania është e gatshme të japë kontributin e saj.
“Jemi këtu për të nënshkruar një dokument të rëndësishëm që shënon fundin e luftës në Gazë dhe fillimin e një periudhe të re bashkëpunimi dhe paqeje në rajon,” u shpreh Mertz. Ai falënderoi të gjithë ndërmjetësuesit që bënë të mundur marrëveshjen, duke përmendur veçanërisht presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, presidentin amerikan Donald Trump për “qëndrimin e qartë dhe angazhimin e palëkundur”, emirin e Katarit Hamad al-Thani dhe qeverinë turke.
“Gjermania ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në krah të Izraelit,” theksoi kancelari gjerman, duke shprehur lehtësim për lirimin e pengjeve të fundit të gjallë nga Hamasi, mes tyre edhe katër shtetas gjermanë.
Mertz konfirmoi gjithashtu gatishmërinë e Gjermanisë për të ndihmuar në përpjekjet humanitare në Rripin e Gazës, për të siguruar furnizime me ushqim, ilaçe, ujë të pijshëm dhe strehim për popullsinë civile.
Apel për paqe edhe në Ukrainë
Kancelari gjerman i bëri thirrje presidentit Trump që të përdorë ndikimin e tij edhe ndaj Rusisë, për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Nuk duhet të harrojmë se vetëm disa orë larg nga këtu, me avion, lufta e Rusisë kundër Ukrainës po vazhdon prej më shumë se tre vitesh e gjysmë,” tha Mertz.
“Po shohim sot se kur komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar, paqja është e mundur. Por për ne në Evropë, lufta në Ukrainë mbetet kërcënimi më i madh për lirinë tonë,” shtoi ai, duke paralajmëruar se do të diskutojë këtë çështje me Trump gjatë ditës.









