PERSHTATJA ME BE/ Banka e Shqipërisë, ligj të ri në përputhje me acquis-në

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi sot një takim me Mary Goodman, këshilltare rajonale pranë Departamentit Monetar dhe Tregjeve Kapitale.

Sipas njoftimit të BSH-së, në këtë takim u diskutuan nevojat për asistencë teknike në kuadër të reformave të rëndësishme institucionale dhe harmonizimit me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Në njoftim thuhet se në fokus ishin edhe përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për hartimin e ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë në përputhje me acquis-në e BE-së në fushën e bankës qendrore.

“Procesi i integrimit evropian ofron një udhërrëfyes të pazëvendësueshëm për agjendën e reformave strukturore, ndërsa perspektiva e integrimit në Bashkimin Evropian ofron një mundësi historike për nxitjen e investimeve të huaja direkte”, cilësohet në njoftim.

Takimi u zhvillua në kuadër të Mbledhjeve Vjetore 2025 të FMN-së dhe BB-së në Uashington, DC, ku Banka e Shqipërisë përfaqësohet nga delegacioni i kryesuar nga guvernatori Gent Sejko.