“SHUME ZHURME PER ASGJE”/ Aksioni i bujshëm për lirimin e hapësirave publike degjeneron në nismë për zaptimin e tyre me kusht – Rama njofton ngritjen e “Fondit të Gjelbër”: Për çdo karrige jashtë, një pemë

Në një postim në rrjetet sociale këtë të martë, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ngritjen nga qeveria të “Fondit të Gjelbër”.

Sipas Ramës, për çdo karrige që do të vendoset nga bizneset në hapësira publike, do të kërkohet një kontribut me një pemë në Fondin e Gjelbër që do të krijojë qeveria.

Kreu i qeverisë u bëri thirrje pronarëve të bizneseve që të bëjnë durim dhe të mos shqetësohen, pasi shumë shpejt do t’u vijë radha karrigeve dhe kushteve të reja për vendosjen e tyre jashtë.

Postimi i plotë i Ramës:

“Atyre që shqetësohen për karriget u them: bëni durim. Shpejt u vjen radha, së bashku me kushtet e reja për vendosjen e karrigeve jashtë. Por si fillim, mund të them se për çdo karrige në hapësirën e kufizuar publike, do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbër që do të krijojë qeveria e re”, shkruan Rama.