RREGULLI I RI FIFA/ Kartoni gjelbër përdoret për herë të parë në një garë zyrtare

Kupa e Botës U20, që ka nisur këtë fundjavë në Kili, solli një risi historike për botën e futbollit.

Për herë të parë u zbatua “kartoni i gjelbër”, një rregull i ri i FIFA-s që u jep trajnerëve të drejtën të kërkojnë rishikim të një vendimi përmes VAR-it.

Në ndeshjen mes Marokut dhe Spanjës, trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, ushtroi këtë të drejtë në minutën e 78-të, pasi gjyqtari akordoi një penallti për spanjollët.

Pas rishikimit të videos, vendimi u ndryshua: penalltia u anulua dhe futbollisti spanjoll u ndëshkua me karton të verdhë për simulim.

Kartoni i gjelbër funksionon ngjashëm me “sfidë” në sportet amerikane. Sipas rregullave të reja, trajnerët dhe kapitenët mund ta përdorin vetëm një herë për pjesë loje dhe vetëm në raste kyçe: penallti të mundshme, kartonë të kuq, gola të diskutueshëm ose identitet të gabuar të lojtarëve.