Mark Markez është zyrtarisht kampi on bote në Moto GP për vitin 2025. Piloti nga Çervera vulosi dje titullin me vendin e dytë në Çmimin e Madh të Japonisë, në pistën e Motegit. Edhe pse gara u fitua nga Peko Banjaja, kjo kishte pak rëndësi, pasi Markez siguroi pikët e nevojshme për të lënë pas vëllain e tij, Aleks Markez, në renditje dhe për t’u rikthyer në majë.
Tani, bota është sërish e tij. Pas një periudhe të vështirë me dëmtime dhe ndryshimin e motorit nga Honda në Dukati, Mark arrin titullin e shtatë botëror në Moto GP, të nëntin në total, duke barazuar legjendën Valentino Rosi. Pa dyshim, kjo është kurora e tij më e veçantë.
GARA NË MOTEGI
Kushtet atmosferike ishin të favorshme, pas reshjeve të mëparshme, dielli doli në pistë, temperatura në ajër shkoi në 29°C, ndërsa ajo në asfalt në 40°C. Të gjithë pilotët zgjodhën goma mesatare, si përpara, ashtu edhe pas. Para fillimit të garës, pati zhgënjim për tifozët vendës japonezë, pasi skuadra “Trackhouse” konfirmoi se Ai Ogura nuk do të garonte për shkak të dhimbjeve në dorën e djathtë pas rrëzimit në Misano.
Edhe Horge Martín mungoi, i rikthyer për në Barcelonë për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në klavikulën e djathtë, pas rrëzimit të së shtunës. Që në start, Banjaja mbrojti pozicionin e parë nga “pole position”. Akosta kaloi në vendin e dytë dhe Markez u pozicionua i treti. Mir ra në vendin e pestë, i kaluar edhe nga Kuartararo, ndërsa Aleks Markez mbeti i teti. Peko e nisi garën me një ritëm të jashtëzakonshëm, duke krijuar një diferencë prej 0.7 sekondash ndaj Akostas që në xhiron e parë.
Ndërkohë, Kuartararo hasi vështirësi dhe filloi të humbiste pozita, ndërsa Luka Marini pati një problem teknik dhe u tërhoq nga gara. Me Banjajan që po thellonte epërsinë, Mark nuk arrinte t’i afrohej mjaftueshëm Akostas për ta sulmuar. Përkundrazi, Mir i afrohej nga pas dhe Bexeki po bëhej kërcënim, pasi kaloi Morbidelin. Mark Marez nuk dukej komod në atë fazë të garës. Madje, doli pak jashtë piste në kthesën 10, por Mir nuk arriti të përfitonte.
Kur kishin mbetur edhe 14 xhiro, Pedro Akosta filloi të humbiste ritmin. Markez e parakaloi dhe kaloi në vend të dytë, megjithëse ndodhej tashmë 3.8 sekonda pas Banjajas. Me gjysmën e garës ende përpara, dilema ishte nëse Mark do të përpiqej të kapte Banjajan apo do të ruante pozicionin, duke parë që rivali i tij për titullin, Aleks, nuk po ngjitej në renditje. Mir solli gëzim në kampin e Hondës, duke kaluar Akostan që po vuante me ritmin. Madje, edhe Bexeki dhe më pas Morbideli, e kaluan pilotin e ri spanjoll.
FRIKË TE DUKATI
Në radhët e Dukatit u ndezën alarmet kur nga motori i Banjajas filloi të dilte tym i bardhë. Drejtori teknik, Gigi Dal’Inja, vështroi me shqetësim, ndërsa Davide Tardoci u ngrit në këmbë pranë murit të bokseve. Megjithatë, ritmi i Pekos mbeti i mirë dhe diferenca me Markez nuk ndryshoi. Ndërkohë, Markez mori një paralajmërim për kalim të përsëritur të kufijve të pistës, një arsye më shumë për të mos rrezikuar.
Akosta gaboi sërish, duke dalë në zonën e rërës në kthesën e parë dhe ra në vendin e 19-të. Edhe Nakagami, që garonte me ftesë, doli jashtë piste, por këtë herë përfundoi në tokë. Një përfaqësues i FIM-it (Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit) shkoi në bokset e Dukatit për të hetuar situatën me motorin e Banjajas, por Drejtoria e Garës nuk konstatoi rrezik dhe italiani vazhdoi pa penalizim.
Ndërkohë, Xhek Miler u tërhoq pas një problemi me zinxhirin e Yamahas së tij. Tymi vazhdoi të dilte nga Dukati i pilotit italian, por motori nuk u ndal. Mark kaloi vijën e finishit i dyti dhe nisi festën. Qëllimi ishte titulli, dhe ai është arritur tashmë. Emocionet e pushtuan, teksa lotët i rrodhën në fytyrë gjatë përqafimeve nga ekipi. Ishte një moment historik. Fanella e tij festive shkruante: “Më shumë se një numër”, dhe me të vërtetë është kështu. Kështu Moto GP largohet nga Japonia, pas një fundjave të dominuar nga Banjaja, me triumf në Sprint dhe garë por mbi të gjitha me rikthimin në fron të Mark Markezit, i cili shpallet kampion pesë gara para fundit të sezonit.










