PROPOZIMI/ Shkak lufta dhe kriza në Gaza – Von der Leyen kërkon pezullim të pjesshëm të tregtisë dhe sanksione kundër Izraelit 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha sot se planifikon të kërkojë një pezullim të pjesshëm të tregtisë dhe sanksione kundër Izraelit për shkak të luftës në Gazë – një njoftim që shënon një kthesë të mprehtë për Von der Leyen, një mbështetëse e gjatë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

BE-ja me 27 vende është thellësisht e ndarë në qasjen e saj ndaj Izraelit dhe palestinezëve, dhe është e paqartë nëse do të gjendet një shumicë për të mbështetur sanksionet dhe masat tregtare.

Von der Leyen tha se komisioni do të krijojë një grup donatorësh për Palestinën muajin tjetër, një pjesë e të cilit do të përqendrohet në rindërtimin e ardhshëm të Gazës. “Ngjarjet në Gazë dhe vuajtjet e fëmijëve dhe familjeve kanë tronditur ndërgjegjen e botës”, tha ajo.

“Uria e shkaktuar nga njeriu nuk mund të jetë kurrë një armë lufte. Për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ajo, duke u duartrokitur në Parlamentin Evropian gjatë takimit në Strasburg, Francë.

Deklarata e Von der Leyen erdhi një ditë pasi ushtria e Izraelit paralajmëroi banorët e Qytetit të Gazës – të evakuoheshin përpara planeve për të marrë kontrollin e asaj që e portretizon – si fortesën e fundit të mbetur të Hamasit dhe ku qindra mijëra njerëz mbeten në krizë urie.

Paralajmërimi erdhi dje përpara një sulmi izraelit që synonte udhëheqësit e Hamasit në Katar – ku negociatat për t’i dhënë fund luftës në Gazë u dukën të bllokuara.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi rrëmbyen 251 persona më 7 tetor 2023 dhe vranë rreth 1 200 persona, kryesisht civilë izraelitë.

Dyzet e tetë pengje mbahen ende brenda Gazës, rreth 20 prej tyre besohet se janë gjallë. “Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën më shumë se 64 000 palestinezë”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

Pjesë të mëdha të qyteteve të mëdha janë shkatërruar plotësisht dhe rreth 90% e rreth 2 milionë palestinezëve janë zhvendosur.