POLARIZIMI I SHOQERISE/ Papa Leoni kritika për hendekun midis të pasurve e të varfërve: Pasuritë marramendëse si ato të Elon Musk minojnë vlerën e jetës

Papa Leoni XIV ka kritikuar ashpër hendekun në rritje të pagesave mes drejtuesve të korporatave si Elon Musk dhe punëtorëve të zakonshëm, duke fajësuar pabarazinë ekonomike për polarizimin që po trondit botën.

Në intervistën e tij të parë që prej zgjedhjes si Papë në maj, Papa Leoni, udhëheqësi i parë i Kishës Katolike me origjinë nga SHBA, përmendi posaçërisht biznesmenin Elon Musk si shembull të pasurisë ekstreme që, sipas tij, po minon “vlerën e jetës njerëzore, të familjes dhe të vetë shoqërisë”.

“Dje doli lajmi se Elon Musk do të bëhet trilioneri i parë në botë,” tha Papa Leoni në një intervistë të dhënë në fund të korrikut dhe të publikuar të dielën në faqen katolike të lajmeve Crux.
“Çfarë do të thotë kjo dhe për çfarë bëhet fjalë?” pyeti Papa në lidhje me pasurinë e Musk. “Nëse kjo është gjëja e vetme që ka vlerë sot, atëherë jemi në telashe të mëdha.”

Pasuria e Musk-ut, që vjen nga aksionet në kompaninë e makinave elektrike Tesla dhe pronësia e tij në kompani si SpaceX, xAI, Neuralink dhe The Boring Company, vlerësohet aktualisht rreth 367 miliardë dollarë. Një raport i Informa Connect Academy ka parashikuar se kjo pasuri mund të arrijë 1 trilion dollarë deri në vitin 2027.

Papa Leoni u shpreh se Musk nuk është shembulli i vetëm për hendekun gjithnjë e më të madh mes punëtorëve dhe super të pasurve.

“CEO-t që 60 vite më parë fitonin katër deri në gjashtë herë më shumë se një punëtor, sot fitojnë deri në 600 herë më shumë,” tha ai, duke cituar të dhëna nga një biografi e ardhshme në gjuhën spanjolle që do të botohet nga Penguin Peru.

Papa Leoni, i lindur në Çikago dhe me përvojë të gjatë si prift në Peru, u transferua në Vatikan në vitin 2023 me thirrjen e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë në prill të këtij viti.

Kritika e tij për pasurinë ekstreme vjen në një kohë kur debati mbi ndikimin e elitës së Silicon Valley dhe pasurisë së përqendruar në pak duar është bërë gjithnjë e më i nxehtë.

Në intervistë, Papa Leo gjithashtu shprehu shqetësimin për paaftësinë aktuale të Kombeve të Bashkuara për të zgjidhur konfliktet globale.
“Duket se pranohet gjerësisht që OKB-ja, të paktën për momentin, ka humbur aftësinë për të bashkuar vendet në çështje multilaterale,” tha ai, duke shtuar se ai dhe Vatikani po përpiqen të nxisin dialogun.

Ironikisht, intervista u publikua vetëm një ditë pasi Vatikani organizoi një ngjarje botërore mbi “vëllazërinë njerëzore”, që përfundoi me një koncert dhe spektakël dronësh në Sheshin e Shën Pjetrit, shfaqje e organizuar nga Nova Sky Stories, një kompani në pronësi të vëllait të Elon Musk, Kimbal Musk.