Këtë të hënën në orën 10:30 do të zhvillohet seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme për aferën “Partizani”, ku të pandehur janë Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Në seancën e kaluar të mbajtur më 21 korrik, avokatët e Berishës dhe Malltezit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese, duke argumentuar se kërkojnë gjykim nga një gjykatë e paanshme, pasi sipas tyre, GJKKO ndodhet nën kontrollin e SPAK dhe gjyqtarët janë “të shantazhueshëm”. Kjo kërkesë u rrëzua më 28 korrik nga GJKKO.
Më herët, gjyqtarja Elsa Ulliri, kërkoi dorëheqjen për shkak të lidhjeve familjare me një funksionare të Partisë Demokratike, por kërkesa u refuzua nga zëvendëskryetari i gjykatës.
Kujtojmë se Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë” e kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, po ashtu të kryera në bashkëpunim.









