Tre shqiptarë nga Korça kanë rënë në prangat e policisë në Selanik të akuzuar si autorë të një atentati të ndodhur më 3 shtator në zonën e Pilaias teksa kanë hapur zjarr jashtë një kantine me qëllim vrasjen e 25-vjeçarit grek. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë pasi mori plumba në gjok e pjesën e dorës.
Personat e arrestuar janë Gentian Çipi 39 vjeç, Enea Bashkolli 30 vjeç dhe Kleo Topa 23 vjeç, të cilët gjithashtu akuzohen për përfshirje në trafikun e drogës me linjat e autobusëve Shqipëri-Greqi, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Referuar hetimeve nga policia greke lidhur me atentatin, në vendngjarje janë gjetur 3 gëzhoja ndërsa personi që ka qëlluar dyshohet të jetë Gentian Çipi, i cili rezulton kreu i një grupi kriminal qe kryen trafik droge dhe veprime të dhunshme. Pas ngjarjes, tre të dyshuarit janë larguar me automjetin në pronësi të Enea Bashollit.
Gjatë aksionit të fundit për kapjen e Gentian Çipit dhe Kleo Topas, këta nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar ndërsa janë larguar me shpejtësi duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë si dhe duke përplasur një automjet të policisë. Më pas ata kanë tentuar të largohen me këmbë, por janë arrestuar. Disa orë më vonë në pranga ka rënë dhe Enea Basholli.
Gjatë kontrolleve të policisë greke, janë gjetur dhe sekuestruar 1 kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, silenciator, rreth 31 kg kanabis, pasaportë false, patentë false, 23 mijë e 350 euro, celularë dhe 3 automjete.









