Në Gjykatën e Posaçme nisi sot procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu,ku në seancë, Mediu paraqiti kundërshtimet e tij në lidhje me akt-ekspertizat tekniko-ushtarake.
“Ekspertët e thirrur nga prokuroria ishin në nivel të ulët ushtarak. Gjatë procesit disa ushtarakë të lartë i kanë kundërshtuar këta ekspertë,” deklaroi Mediu, duke shtuar se prokurori në sallë pranoi se nuk kishte njohuri për kalibrat pasi ishte jurist.
Ai tha se procedimi penal ishte ngritur në mënyrë të qëllimshme nga Prokuroria e kohës dhe se ministri nuk merret me çështje ushtarake, për të cilat, sipas tij, përgjegjësia i takon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak.
Në një deklaratë jashtë Gjykatës së Posaçme, Mediu theksoi rëndësinë e kontrollit civil dhe ushtarak për një vend anëtar të NATO-s dhe u shpreh se çështjet teknike nuk janë brenda kompetencave të ministrit.
“Ministri i Mbrojtjes është civil,” tha ai, duke nënvizuar se kundërshtimet dhe pyetjet e tij janë paraqitur edhe në një përmbledhje zyrtare të dorëzuar në seancë.
Sa i përket paraqitjes së provave, Mediu u shpreh i habitur dhe kritik ndaj procesit, duke theksuar mungesën e një shkrese të kundërligjshme nga kryeministri në dokumentacionin e paraqitur dhe duke e quajtur rrjedhën e procesit drejt absurdit.
Ai argumentoi se pretendimet se uzinat ushtarake kryenin demontime nuk përputhen me dëshmitë se në vitin 2007 ato kanë punuar me kapacitet të plotë.
Mediu përmendi gjithashtu se ministri kishte dërguar në qeveri relacione sipas të cilave municionet e kalibrave të mëdhenj demontoheshin në uzinat ushtarake.
Ai shtoi se relacionet i përgatiten nga stafi teknik dhe se nuk ka thënë se ekzistonin vetëm municione të vogla apo të mëdha; sipas tij, nuk është detyrë e ministrit të dijë detaje teknike si përkatësia e municioneve sipas milimetrave.
Mediu: Ka një normë shumë të rëndësishme për një vend anëtar të NATO-s, kontrolli civil dhe ushtarak i forcave të armatosura, me çështje teknike nuk merret ministri.
Megjithatë ne kemi bërë kundërshtimin edhe pyetje pas pyetje, edhe në një përmbledhje të sotme të cilën e kemi paraqitur.
Për sa i përket çështjes së dytë, paraqitjes së provave, të them të drejtën jam jashtëzakonisht i habitur, që tregon se ky proces po shkon drejt absurdit për faktin që në gjithë prezantimin që u bë nuk shikohet dhe nuk tregohet një shkresë e kundërligjshme e kryeministrit, përveçse aludimeve për sa i përket procedurës administrative.
Ta bëjmë më të thjeshtë, thuhet se uzinat ushtarake bënin demontime, po ju them që në 2007, uzinat ushtarake, sipas edhe dëshmive të ushtarakëve të Shtabit të Përgjithshëm, kanë punuar me kapacitet të plotë.
Thuhet për shembull: ministri çoi një relacion në qeveri dhe tha që municionet e kalibrit të madh demontoheshin në uzinat ushtarake.
Relacionet janë që i përgatit stafi teknik, as kam thënë ka municione të vogla, as kam thënë ka municione të mëdha, por nuk është detyrë e ministrit të dijë se kush është municion i vogël dhe kush i madh, aq më tepër të dijë milimetrat e municioneve.









