REAGIMI/ “Po më nxini jetën!” SPAK i sekuestroi të bijve 4 milionë euro – “qahet” babai i Suel Çelës: Kam 35 vite në biznes, çdo gjë është e ligjshme 

Babai i Suel Çelës, Petrit Çela, ka reaguar pas njoftimi të bërë këtë të enjte nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se ka sekuestruar pasuri me vlerë 4 milionë euro në Verona të Italisë, të cilat sipas organit të akuzës rrjedhin nga trafiku i kokainës.

Për gazetaren Klodiana Lala, Çela ka deklaruar se gjithçka është e ligjshme dhe se është marrë me biznes prej 34 vitesh.

Ai ka pohuar se pasuria në Itali është hetuar edhe më herët dhe se për atë zotëron tre vendime Gjykate. Për këtë arsye, babai i të “fortit” të Elbasanit ka theksuar se do të vijojë betejën me SPAK dhe se shumë shpejt do të publikojë dokumentat.

Gjithashtu, një “ankesë” Petrit Çela e ka pasur edhe për mediat për të cilët ka thënë se janë duke i “nxirë jetën”.

Përmes një njoftimi zyrtar SPAK njoftoi këtë të enjte se në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë bërë të mundur zbërthimin e një organizate kriminale,  e cila në krye kishte dy vëllezërit Çela dhe vepronte në Verona të Italisë.

Sipas autoriteteve, organizata kriminale ishte përgjegjëse për transportin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës në disa vende europiane, nga Amerika e Jugut në tregun europian.

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Guardia di Finanza seksioni i hetuesve financiarë të Veronës, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë të një shoqërie tregtare, të cilat kalonin vlerën e 4 milionë eurove.

Pasuritë e sekuestruara janë:

Një ndërtesë, pasuri e paluajtshme në Nogarole Rocca (Verona)

Një ndërtesë, në vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane) (Verona)

Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit)

Një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.

Hetimet konstatuan se këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane. Vëmendja u përqëndrua tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash, përmes sistemit bankar. Ka rezultuar se paratë vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të dy vëllëzerve shqiptarë dhe këto shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat, më pas jepeshin me qira.

Njëri prej dy vëllezërve, Suel Çela, është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri, Mario Çela, ndodhet në një burg në Belgjikë. Ky i fundit u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antëerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.

Për këtë të fundit ka gjithashtu një vendim të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas hetimeve të kryera nga SPAK, për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”, “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.