OPERACIONI/ Trafikonin armë zjarri nga Kosova në Shqipëri për t’i shitur – arrestohen dy persona; sekuestrohen 8 pistoleta

NJOFTIMI I POLICISË: 

Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, me qëllim shitjen.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”.

Sekuestrohen 8 armë zjarri pistoleta. Vihen në pranga 2 shtetas kosovarë që i kishin trafikuar armët nëpërmjet kufirit jeshil me Kosovën, me qëllim shitjen në Shqipëri.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në trafikimin e armëve dhe të shtetasve që do të blinin armët, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, për shkak të hetimit.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Kalibri”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të dy banues në Prizren.


Në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin Sh. Q., gjetën 8 armë zjarrri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar armët e zjarrit, nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet kufirit jeshil dhe se do t’ua shisnin ato, 2 shtetasve të cilët kur kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar.

Për shkak të hetimit nuk i bëjmë me dije të dhënat e këtyre shtetasve. Vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.