Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, maxhoranca miratoi përfshirjen në rendin e ditës të vendimit për kalimin e Pallatit të Kongreseve në pronësi të qeverisë, me arsyetimin se godina do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
Kjo pikë u kundërshtua ashpër nga këshilltarët e opozitës, të cilët e cilësuan si një hap të ngjashëm me praktikat e mëparshme për shembjen e godinave me vlerë kulturore në Tiranë, si Teatri Kombëtar apo stadiumet historike.
Por kërkesat e tyre u hodhën poshtë nga maxhoranca, ndërsa kryetarja në detyrë, Anuela Ristani, lexoi pikat e rendit të ditës, ku veçohet kalimi i Pallatit të Kongreseve në pronësi të qeverisë.
Ndryshe nga deklaratat e PS, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga opozita, Dorian Teliti thotë se projekti për “Rijetëzimin” e Pallatit të Kongreseve është vendim i njëjtjë si me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe projektet për stadiumet historike të kryeqytetit.
Ai shton se ky “rijetëzim” është thjesht një alibi për të ndërtuar kulla e grataçela për oligarkët.
Pallati i Kongreseve është një monument kulture, por kjo nuk do të thotë asgjë për socialistët e pushtetit, të cilët duket se janë të vendosur që të shembin çdo ndërtesë historike për t’ua dhënë hapësirën oligarkëve të ndërtojnë kulla.
Pas kësaj pike, debatet u zhvendosën te kërkesat e opozitës për të futur në rend dite diskutimin mbi situatën aktuale të menaxhimit të Bashkisë Tiranë, pas zhvillimeve të fundit që e kanë bërë kryetarin Erion Veliaj të pandehur. Këshilltarët opozitarë kërkuan që Këshilli të marrë në shqyrtim funksionimin aktual të institucionit, duke pretenduar se vendimmarrja po ndikohet nga persona jashtë strukturave zyrtare të bashkisë.
Kërkesat e tyre nuk u morën parasysh nga maxhoranca, ndërsa mbledhja vijoi sipas rendit të miratuar fillimisht.
Këshilltarët e djathtë gjithashtu kërkuan që tani që Erion Veliaj u mor i pandehur të futet në rend dite diskutimi i situatës aktuale të menaxhimit të bashkisë Tiranë.
“Kemi dy muaj që kemi për të dorëzuar kërkesën për të trajtuar situatën aktuale të kryetarit të bashkisë, i cili sot nuk gjendet në detyrë dhe nisur nga zhvillimet e djeshme, Veliaj nuk është një njeri nën hetim, por i pandehur, domosdoshmërisht që të futet në rend dite diskutimi i situatës aktuale të menaxhimit të bashkisë Tiranë.
Po dëgjojmë në intervista, konkurse, thirrje të drejtorëve edhe nga stafe apo të njohur politikë që nuk janë pjesë e bashkisë. Bashkia e Tiranës është ekzekutivi dhe bashkë me Këshillin Bashkiak janë të vetmet autoritete që kanë të drejtën për menaxhimin e punëve”, tha Dorian Teliti.
“Na erdhi një e-mail nga zonja (Joleza, anëtare e PS në Këshillin Bashkiak) Koka, ku shprehte se ishte e shqetësuar për Palestinën. Por nuk thoni asnjë fjalë, për pushtimin që Edi Rama i ka bërë Bashkisë së Tiranës, duke shkelur ligjin për autonominë vendore”, tha këshilltarja tjetër e opozitës, Ilda Zhulali.









