Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Florenc Çapjas, i cili u ekstradua nga Dubai disa muaj më parë.
Çapja kërkoi ndryshimin e masës “arrest me burg”, por Gjykata e Lartë i rrëzoi kërkesën duke e lënë në qeli.
Çapja akuzohet për sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e Sokol Sanxhaktarit. Emri i tij u përmend nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
AKUZAT NDAJ ÇAPJAS
44-vjeçari është i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve. Florenc Çapja, së bashku me xhaxhain e tij Ardian Çapja, janë të dënuar me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012. Gjithashtu, ndaj 44- vjeçarit kishte një tjetër mandat për kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ishkryebashkiakut, Qazim Sejdini, plan që nuk u realizua.
Kjo akuzë u formulua nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të operacionin “Plumbi i Artë”, përftuar nga dëshmitë e vrasësit me pagesë që ka marrë statusin e të penduarit të drejtësisë. Ardian Çapja është i burgosur prej disa vitesh, por nipi i tij, Florenci mundi t’i shpëtonte arrestimit, pas rrëfimeve të kreut të grupit të vrasësve me pagesë, Nuredin Dumani, duke u fshehur në Dubai, ku dhe nisën procedurat për arrestim dhe ekstradim. Vitet e fundit grupi “Çapja” sipas përgjimeve, hetimeve dhe rrëfimeve të Dumanit, kishte hyrë në ‘konflikt të përgjakshëm’ edhe me organizatën e Suel Çelës, po në Elbasan.
Gjithashtu, Florenc Çapja është nën akuzë për një atentat të mbetur në tentativë ndaj ishefektivit të Rrugores në Elbasan, Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në vitin 2006. Kjo dosje aktualisht ndodhet për rigjykim në Gjykatën e Elbasanit pasi Gjykata e Lartë zhbëri një vendim të vitit 2019 që pushoi çështjen. Në fillim të janarit të këtij viti SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të sekuestruara Florenc Çapjas pasi që prej vitit 2022 nisi një hetim pasuror. Nga 10 pasuri të sekuestruara dhe që SPAK kërkon që t’i kalojnë në shtetit, 8 janë në emër të babait dhe nënës së Florenc Çapjas, të gjitha në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, që konsiderohet si bazë e grupit të strukturuar kriminal të Çapjave.
VRASJA NË ‘BESË’
Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.
Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri.
Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, si dhe Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.









