MARREVESHJA/ Zelensky dhe Papa Leo XIV: Vatikani, vend i mundshëm për bisedimet e paqes për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Papa Leo XIV diskutuan sot mbi Vatikanin si një vend të mundshëm për të pritur bisedime paqeje për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Rusisë.

Zelensky zhvilloi bisedime me Papën në rezidencën e tij verore në Castel Gandolfo përpara Konferencës së katërt të Rimëkëmbjes së Ukrainës, që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Romë.

Vatikani tha se Papa Leo XIV dhe Zelenskyy diskutuan konfliktin dhe nevojën urgjente për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

“Ati i Shenjtë shprehu keqardhjen e tij për viktimat dhe përtëriu lutjet dhe afërsinë e tij me popullin ukrainas, duke inkurajuar çdo përpjekje që synon lirimin e të burgosurve dhe kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta. Ati i Shenjtë përsëriti gatishmërinë për të mirëpritur përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës në Vatikan për negociata”,-thuhet në një deklaratë të Vatikanit.

Shtetet e Bashkuara kishin lënë të kuptohet se Vatikani mund të organizonte bisedime të mundshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, por Moska nuk e ka pranuar atë.

Duke folur me gazetarët të mërkurën, Zelensky tha se e falënderon Papën për përpjekjet e Vatikanit për të ndihmuar në ribashkimin e fëmijëve të marrë nga Rusia pas pushtimit të Moskës në vitin 2022.