KRONIKA/ E zhdukur prej 2 ditësh – gjendet pa shenja jetë 53-vjeçarja në Itali! Natën e vrasjes ishte takuar me një burrë

Zhdukja dhe më pas gjetja pa shenja jete e 53-vjeçares Erika, ka tronditur autoritetet italiane dhe komunitetin.

Mediat fqinje raportojnë se Erika, 53 vjeç u largua me Mini Cooper-in e saj të zi pasi kishte kaluar mbrëmjen në një klub në Segrate. Pamjet e sigurisë e kapën teksa lëvizte mes Aeroportit të Linate-s dhe Parkut Muzza.

Më pas, çdo gjurmë u ndërpre. Telefoni i saj u fik rreth orës 07:00 të mëngjesit pranë një qendre për qen, “Il Pavone”, ku më vonë u përqendruan kërkimet nga Karabinierët.

Rreth orës 14:00 të së mërkurës, një fermer zbuloi makinën e saj të përplasur në një kanal, me dyert e mbyllura, çelësat në ndezje dhe pa shenja dhune. Por trupi i Erikës u gjet 200 metra më larg, pranë dy patericave të saj, në mes të një fushe. Hetuesit besojnë se ajo kishte vdekur që në natën e zhdukjes.

Çanta dhe telefoni i saj mungojnë ende, dhe pozicioni i trupit ngre dyshime për një takim me dikë – ndoshta një burrë. Po kryhen analiza të gjurmëve të gishtave dhe hetimet janë në vijim. Edhe pse ajo kishte bërë largime të shkurtra më parë, asnjëherë nuk kishte munguar për kaq gjatë. Natën e fundit miqtë i kishin ofruar ta shoqëronin, por ajo kishte zgjedhur të largohej vetëm.