KONTESTIMI/ Tarifa 15% e SHBA ndaj Eksporteve nga BE – “rebelohen” prodhuesit Evropianë të Barnave; do ketë pasoja për pacientët 

Prodhuesit kryesorë të barnave në Bashkimin Evropian kanë reaguar me shqetësim të thellë ndaj vendimit të fundit të administratës Trump për të vendosur një tarifë prej 15% mbi barnat e importuara nga BE-ja. Federata Evropiane e Industrive Farmaceutike (EFPIA), që përfaqëson gjigandë si Bayer, Novo Nordisk, Pfizer dhe Johnson & Johnson, e ka cilësuar këtë masë si “të rrezikshme dhe të paprecedentë”.

Sipas EFPIA, vendosja e këtyre tarifave rrezikon të çrregullojë zinxhirët e furnizimit, të ngadalësojë investimet në kërkim dhe zhvillim dhe të kufizojë aksesin e pacientëve në terapi jetike – si ato të reja, ashtu edhe ekzistuese. Organizata paralajmëron se vendimi përbën gjithashtu një shkelje të qartë të marrëveshjes së Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) të vitit 1995, e cila garanton tregti të lirë nga tarifa për ilaçet dhe përbërësit e tyre aktivë.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka bërë të ditur se importet farmaceutike nga SHBA-ja në BE nuk do të preken nga masa të ngjashme, duke e cilësuar vendimin e Uashingtonit si “të njëanshëm dhe të dëmshëm për besimin në tregtinë ndërkombëtare”.

EFPIA u bën thirrje autoriteteve amerikane dhe evropiane për zgjidhje të balancuara dhe të qëndrueshme për financimin e inovacionit farmaceutik, duke theksuar se ka mënyra më efektive për të rritur aksesin në shëndetësi pa cenuar sigurinë e pacientëve apo rritjen ekonomike globale.