GAFA E POLICISE/ Prokuroria e Sarandës liron 2 të arrestuarit e ‘Delvina Gas’: Ndalimi i Policisë i paligjshëm – vijon në kërkim biznesmeni Meqemeja 

Pak orë pas arrestimit nga Policia për ndërtimin e paligjshëm të kompanisë “Delvina Gas’ në impiantin e gazit (TEC) në fushat gazmbajtëse të zonës, Prokuroria e Sarandës liron nga qelia e paraburgimit 2 inxhinierët e arrestuar.

Prokurorja e gatshme ka vlerësuar se ndalimi me iniciativ nga Komisariati ka qenë i paligjshëm, duke urdhëruar menjëherë nëpërmjet oficerëve gjyqësore lirimin e Elton Malkaj, 31 vjeç përgjegjës i impiantit të gazit dhe Luan Metaj 53 vjeç, përgjegjës i kantierit të ndërtimit. Arrestimi i tyre u bë dje (29 korrik), për “ndërtim të paligjshëm”.

Sipas procedurës ligjore dhe penale, të dy inxhinierët nuk do të dalin as në gjykatë, pasi procedura vlerësohet në nivel shoqërimi dhe arrestimi i paligjshëm. Pasi ka shqyrtuar procesverbalet e Policisë, përfaqësuesi i akuzës ka konkluduar se nuk ka vepër penale për regjistrim.

Ende në kërkim për ngjarjen, ku Policia dhe IKMT zhvilluan operacion mnë Delvinë, janë biznesmeni Sdokol Meqemeja, pronar i disa kompanive të ndryshme, si dhe administratori i firmës, Juglerd Ibrahimi.

Policia zbuloi se një TEC për prodhim energjie me gaz po ndërtohej pa lejen e autoriteteve në një pronë publike në Delvinë, në një territor rreth 2 mijë metra katrorë nga “Delvina Gas” kompania e biznesmenit të njohur Sokol Meqemeja, ku më herët kishte ngritur një impiant për përpunimin e gazit natyror.

Pronari Sokol Meqemeja 56 vjeç u shpall në kërkim bashkë me administratorin e kompanisë së gazit Juglerd Ibrahimi 36 vjeç, të dyshuar për veprat penale “ndërtim i paligjshëm” dhe “pushtim i tokës”.