Për të dytën ditë radhazi, në fshatin turistik të Thethit në njësinë administrative Shalë vijon aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Ky aksion nisi një ditë më parë me prishjen e 10 objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në oborrin e Kishës së Thethit. Aksioni është zhvilluar nga IKMT e rajonit Shkodër duke patur mbështetjen e policisë vendore të Shkodrës dhe policisë bashkiake. Prishja e tyre u kthye në një debat kombëtar pas reagimit të kryeministrit Rama i cili e cilësoi skandaloz vendimin e prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli për pushimin e çështjes lidhur me 10 objektet në oborrin e kishës së Thethit.
Prokuroria e Shkodrës reagoi duke thënë se qëndrimet e kryeministrit Rama nuk qëndrojnë pasi vetë policia e Shkodrës dhe bashkia Shkodër nuk i kanë referuar këto objekte të ndërtuara pa leje si vepër penale dhe se nuk duhet të ketë asnjë lloj ndikimi dhe presioni ndaj organit të akuzës sepse sipas tyre pushtetet janë të ndara dhe të pavarura, garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë.
Përveç 10 objekteve në fjalë, fadromat e IKMT-së kanë ndërhyrë edhe në 8 objekte të tjera aty afër duke bërë të mundur prishjen e tyre si dhe një objekt tjetër që po ashtu është shembur. Në total deri më tani janë prishur 19 objekte.
Vitet e fundit në Theth ndërtimet pa leje janë shtuar ndjeshëm duke rrezikuar shkatërrimin e natyrës, gjë e cila ka vënë në lëvizje institucionet. Ky aksion deri më tani nuk është ndeshur në kundërshtime nga ana e pronarëve.









