Auditimi i KLSH zbardh shkelje të rënda në menaxhimin e pyjeve, prokurime pa konkurrencë dhe leje ndërtimi të dyshimta në Bashkinë Sarandë…
Bashkia e Sarandës duket se është zhytur në afera. Gjatë një auditimi, Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka zbuluar mungesë totale transparence dhe shkelje të rënda në menaxhimin e pasurive publike, prokurimet dhe lejet e ndërtimit.
Sipas raportit zyrtar të KLSH, në pasqyrat financiare mungojnë të regjistruara plot 5,133 hektarë pyje dhe kullota që i janë kaluar Bashkisë me vendime të Këshillit të Ministrave, me një vlerë totale që arrin mbi 83 milionë lekë. Janë lëshuar 8 certifikata pronësie për këto pasuri në vitin 2023, por ato nuk janë reflektuar fare në llogaritë financiare, duke i shkaktuar buxhetit të bashkisë të ardhura të munguara prej mbi 62 milionë lekësh.
Në anën tjetër, Bashkia ka shpenzuar 17.3 milionë lekë për 26 aktivitete artistike dhe kulturore, pa zhvilluar asnjë procedurë prokurimi, duke shkelur hapur ligjin për fondet publike. Për tenderët e rikonstruksionit të rrugëve, janë evidentuar 8 raste ku fituesit janë shpallur në kundërshtim me kriteret ligjore; janë vendosur kritere kufizuese për pjesëmarrje dhe janë shpallur fitues firma me dokumente të mangëta, duke shkaktuar një dëm ekonomik shtesë prej mbi 32 milionë lekësh.
Situata është alarmante edhe në sektorin e ndërtimit, ku janë dhënë leje pa dokumentacionin teknik të nevojshëm dhe me vonesa të pajustifikuara. KLSH vë në dukje se inspektorët e territorit nuk kanë ndjekur procedurat për ndërtimet pa leje; në disa raste nuk janë nxjerrë as urdhra pezullimi dhe gjobat janë vendosur në mënyrë të paligjshme.
Skandali i Sarandës konfirmon një fenomen të përhapur të shpërdorimit të kompetencave dhe mungesës së kontrollit institucional në pushtetin vendor. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar marrjen e masave urgjente dhe referimin e rastit në organet e drejtësisë. Ndërsa qytetarët e Sarandës presin përgjegjësi konkrete, heshtja e institucioneve vetëm sa shton dyshimet për një rrjet abuziv të mirëstrukturuar.
Gjetjet e KLSH
-Nuk janë ngritur komisione për kryerjen e verifikimeve të aktiveve për llogarinë 211 “Pyje, kullota, plantacione” e cila paraqitet në pasqyrat financiare në shumën 83,323,719 lekë.
– Nuk është hartuar raport lidhur me inventarizimit fizik të aktiveve, vlerësim paraprak për cilësinë dhe kushtet e ruajtjes së tyre, gjendjen fizike dhe vërejtje lidhur me karakterin nëse ka diferenca apo jo për gjendjen e aktiveve.
– Nuk janë marrë masat e duhura për të reflektuar në pasqyrat financiare në llogarinë përkatëse në total nuk ka të regjistruara 5133.81. ha, nga të cilat, 430.9 Hektarë të sipërfaqeve të pyjeve dhe 783.3 hektarë të sipërfaqeve të kullotave të kaluara në favor të saj sipas VKM-ve përkatëse. Gjatë vitit 2023 janë marrë 8 certifikata pronësie të llojit të pasurisë kullotë dhe pyll, të cilat nuk rezultojnë të evidentuara në pasqyrat financiare të vitit 2023 në llogarinë (211).
– Nga mos marrja e masave të nevojshme nga njësia e taksave dhe tarifave vendore janë krijuar të ardhura të munguara në vlerën 62,061,075 lekë.
– Në 26 raste janë zhvilluar projekte artistike, aktivitete kulturore me vlerë 17,315,695 lekë, për të cilat nuk janë kryer nëpërmjet zhvillimit të procedurave të prokurimit.
– U konstatuan mangësi në të gjitha rastet sa i takon hartimit të kritereve të kualifikimit dhe konkretisht aplikimi në mënyrë të gabuar i masës së vlerës për paraqitjen e punëve të ngjashme në të gjitha rastet, mos argumentimi apo analizimi i nevojës për numrin e punonjësve, apo numrin e makinerive të kërkuar në të gjitha rastet, aplikimi i kritereve të panevojshme dhe jashtë objektit të kontratës, të cilët kufizojnë pjesëmarrjen e operatorëve në 8 raste, mos përfshirja në çdo rast e të gjithë setit të dokumenteve që lidhen me garantimin e punimeve të ngjashme, apo mos përfshirja e zanateve specifike në çdo rast, pavarësisht se sipas zërave të punimeve nevojiten të tillë dhe konkretisht, sa i takon objekteve të prokurimit “rikonstruksione apo rehabilitime rrugësh”.
Në 8 raste KVO ka shpallur fitues operatorë ekonomik me mangësi në plotësimin e kritereve të kualifikimit, si gjatë vlerësimit të vetëdeklarimeve, ashtu edhe gjatë verifikimit të dokumentacionit fizik të dorëzuar nga fituesit. Në tërësi nga veprimet dhe mos veprimet lidhur me procedurat e prokurimit publik apo shmangien e tyre është shkaktuar një efekt financiar negativ në vlerën 22,142,400 lekë, si dhe nga zbatimi i kontratave të punimeve dhe shërbimeve një dëm ekonomik në vlerën 9,928,993.36 lekë, për punime të pa kryera.
– Nga auditimi i procedurave të miratimit të lejeve të ndërtimit dhe çertifikatave të përdorimit, u konstatua se në të gjitha rastet, dokumentacioni teknik dhe shoqërues i projektit ndërtimor, nuk është i plotë. Gjithashtu, janë konstatuar vonesa në shqyrtimin e aplikimeve, tej atyre të parashikuar në dispozitat ligjore dhe nënligjore. Në lidhje me miratimin e çertifikatave të përdorimit janë konstatuar problematika si mungesa e licencës së kolaudatorit, kontrata me mbikëqyrësin e punimeve, si dhe licenca e tij, akti përkatës per menaxhimin e mbetjeve urbane, situacioni përfundimtar i kryerjes së punimeve, projekti ‘as built’, projektit për mirëmbajtjen e objektit, çertifikata përfundimtare e auditimit të eficencës së energjisë, etj.
– Lidhur me veprimtarinë e Inspektoratit të mbrojtjes së territorit vihet re se jo në të gjitha rastet inspektorët kanë respektuar procedurat e parashikuara në mbajtjen e procesverbaleve të konstatimeve, si dhe dokumentimin e plotë dhe të saktë të kundërvajtjes. Edhe pse ka procesverbal konstatimi për ndërtime pa leje ndërtimi, të mbajtura nga Inspektoret e terrenit, Kryeinspektori i IMTV-së nuk ka vijuar procedura për arkëtim e shumave të detyrimit sipas dosjeve të subjekteve. Në 4 raste nuk është nxjerrë vendimi për pezullimin e punimeve.
Në 71 raste vlera e masës administrative dënim me gjobë është vendosur e pabazuar në dispozitat ligjore dhe nënligjore. Në së paku 6 raste, konstatimet e kryera nga inspektorët e IMTV, janë klasifikuar (nga ana e kryeinspektorit), si punime për të cilat nuk është e nevojshme pajisja me leje ndërtimi, në një kohë që rezulton e kundërta. Në katër raste (leje ndërtimi të miratuara dhe objektet janë në zhvillim) është konstatuar se zhvilluesi nuk ka respektuar projektin e miratuar, si dhe IMTV nuk ka marrë masa për këto subjekte, etj.









