Amerika feston sot 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë. 249 vite më parë më 4 korrik 1776, u ratifikua deklarata e Pavarësisë.
Delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan “Deklaratën e Pavarësisë”, duke njoftuar kështu shkëputjen nga Britania.
Kjo ditë është festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941 dhe tradicionalisht është një ditë kur amerikanët festojnë me fishekzjarre, parada, koncerte dhe piknikë.
Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Dy ditë më vonë, delegatët nga 13 kolonitë amerikane miratuan Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga Thomas Jefferson.
Rebelimi i Shteteve të Bashkuara kundër britanikëve kishte filluar një vit më parë, më 1775 dhe vazhdoi derisa Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan Traktatin e Parisit në vitin 1783, i cili zyrtarisht njohu pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çfarë ndodhi më 4 korrik 1776?
Kongresi Kontinental deklaroi se trembëdhjetë kolonitë amerikane nuk ishin më subjekt (dhe në varësi) të monarkut të Britanisë, George III, dhe tani ishin shtete të bashkuara, të lira dhe të pavarura. Kongresi kishte votuar për të shpallur pavarësinë dy ditë më parë, më 2 korrik, por ai nuk u shpall deri më 4 korrik.
Gjatë Revolucionit Amerikan, ndarja legale e trembëdhjetë kolonive nga Britania e Madhe në vitin 1776 në të vërtetë ndodhi më 2 korrik, kur Kongresi i Dytë Kontinental votoi të aprovojë një rezolutë të pavarësisë që ishte propozuar në qershor nga Richard Henry Lee nga Virxhinia që shpalli Shtetet e Bashkuara të pavarura nga sundimi i Britanisë së Madhe.
Pasi votoi për pavarësi, Kongresi e ktheu vëmendjen e tij ndaj Deklaratës së Pavarësisë, një deklaratë që shpjegonte këtë vendim, i cili ishte përgatitur nga një Komitet i Pesë, me Thomas Jefferson si autorin e tij kryesor.
Kongresi debatoi dhe rishikoi formulimin e Deklaratës, duke e aprovuar përfundimisht atë dy ditë më vonë, më 4 korrik. Një ditë më parë, John Adams i kishte shkruar gruas së tij Abigail: 2 korriku 1776, do të jetë epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës. Unë jam i prirur të besoj se do të festohet nga brezat pasardhës si festa e madhe e përvjetorit. Duhet të përkujtohet si dita e çlirimit, me akte solemne të përkushtimit ndaj Zotit të Madhëruar. Duhet të solemnizohet me pompë dhe sfilatë, me shfaqje, lojëra, sporte, armë, kambana, zjarre dhe ndriçime, nga njëra anë e këtij kontinenti në tjetrin, nga kjo kohë përpara e përgjithmonë









