Vllaznia zhgënjen përballë modestëve të Daugavpils. Shkodranët janë mposhtur në minutat e fundit të takimit me rezultatin minimal 0-1 në “Elbasan Arena”.
Në minutën e 25, shkodranët iu afruan golit me Arsid Krujën, që provoi me një gjuajtje befasuese nga distanca, por tentativa e tij shkoi jashtë kuadratit.
10 minuta më vonë, vendasit patën sërish rastin ideal me Dodajn, i cili doli i vetëm përballë portierit pas asistit të Qatos, por tentativa e tij u ndal me këmbë nga portieri kundërshtar.
Në minutën e 37, sërish rrezikshëm Vllaznia me Dodajn, por talenti shkodran u ndal për herë të dytë në pak minuta nga portieri kundërshtar.
3 minuta më vonë, porta e letonezëve shpëtoi për mrekulli, pasi Daugavpils për pak sa nuk shkaktoi autogol.
Në minutën e 53, Vllaznia u shfaq sërish rrezikshëm me Salën. Tentativa e tij me kokë shkoi ngjitur me shtyllën.
Në minutën e 55, Qato lëshoi një predhë me të majtën. Gjuajtja e mesfushorit u grushtua nga portieri mik.
Në minutën e 83, provoi edhe Bekim Balaj me një diagonale nga e djathta, por tentativa e tij u grushtua nga portieri.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Daugavpils surprizoi Vllazninë me golin e realizuar në minutën e 85 të takimit me anë të Lizunovs, që me kokë e dërgoi topin në rrjetë.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të luhet të enjten e ardhshme në Letoni, aty ku do të vendoset edhe kualifikimi në turin e ardhshëm të Ligës së Konferencën.









