Procesi i numërimit të qendrave të votimit në qarkun e Tiranës është futur në ditën e tretë. Numëruesit kanë nisur nga puna rreth orës 09:00 të mëngjesit të kësaj të premte, ndërkohë që deri më tani janë hapur 218 kuti, nga 1282 që janë në total.
Ndryshe nga pritshmëritë e të djathtëve apo dhe të majtëve, deri në këtë fazë të numërimit nuk janë gjetur rezultate të cilët mund të përmbysin shifrat e mëparshme.
Madje demokratët kanë humbur 106 vota, ndërsa PS 108. Sa i përket kandidatëve, doktor Ilir Alimehmetit i janë zbritur 20 vota të pamerituara, ndërsa Jorida Tabakut 9 të tilla.
Humbje ka pasur edhe preu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Sipas të dhënave të bëra me dije deri më tani, Metës i cili në zgjedhjet e 11 Majit kandidoi nën logon e PD-ASHM i kanë ikur 13 vota.
Situata e njëjtë mbetet edhe në kapin e të majtëve. Gara në këtë parti politike është mes dy grave socialiste, Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit. Ish-ministres i janë zbritur 4 vota, ndërkohë që deputetes tjetër vetëm 1.
Procesi i rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës startoi mëngjesin e 18 qershorit. Ky proces pritet që të zgjasë për 10 ditë, ndërkohë që më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit dhe në fund do të jenë qendrat e votimit të Durrësit ato të cilat do të hapen për t’u rinumëruar.
Sakaq theksojmë se procesi i rinumërimit do të shtrihet për rreth 1 muaj dhe po realizohet me 24 grupe pune dhe 63 punonjës të administratës zgjedhore ku nuk do të përjashtohen vëzhguesit e 3 subjekteve politike që kanë ankimuar vendimin.









