REAGIM I ASHPER/ Publikoi lajme të rreme për sulmet e SHBA në Iran – Trump kërkon shkarkimin e gazetares së CNN: Duhet ta hedhin jashtë si qen!

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka kërkuar shkarkimin e korrespondentes së CNN, Natasha Bertrand, pasi e akuzon se ka përhapur lajme të rreme mbi sulmet amerikane në Iran pak ditë më parë. Trump në platformën Truth Social, kërkoi “largimin e menjëhershëm të saj si qen”, siç shkroi ai specifikisht.

Trump kritikoi ashpër botimin, duke pretenduar se ajo “po përpiqet të shkatërrojë pilotët tanë patriotë, duke i paraqitur ata si dështakë”. E gjitha lidhet me një lajm të raportuar për ndikim të kufizuar të sulmit të SHBA në objektet bërthamore të Teheranit.

Trump këmbëngul se sulmet shkatërruan plotësisht infrastrukturën e pasurimit të uraniumit, duke miratuar vlerësimin e Izraelit se programi bërthamor i Iranit është vonuar për vite me radhë. Në të kundërt, raporti i inteligjencës së brendshme i cituar nga CNN dhe i riprodhuar gjithashtu nga media të mëdha si Washington Post dhe New York Times, argumenton se vonesa është e përkohshme dhe do të lehtësohet brenda pak muajsh, një fakt që ka shkaktuar shqetësim në Shtëpinë e Bardhë.

Por nga ana tjetër, CNN mbrojti plotësisht Natasha Bertrand dhe theksoi se mbulimi gazetaresk ishte i saktë dhe i bazuar në informacionin e disponueshëm me interes publik.