PERPLASJA/ Lewandowski i doli publikisht kundër, trajneri Probierz dorëhiqet nga Polonia 

Përplasja në distancë me kapitenin, Robert Lewandowski, i ka kushtuar pozicionin Michal Probierz. Trajneri ka dhënë dorëheqjen nga posti i kombëtares së Polonisë.

Veprim që vjen disa ditë pasi sulmuesi Lewandowski tha se nuk do të luajë më për ekipin kombëtar nën drejtimin e tij.

Sulmuesi 36-vjeçar i Barcelonës tha se besimi i tij ishte tradhtuar dhe se ishte shumë i lënduar nga mënyra se si Probierz ia komunikoi heqjen e shiritit të kapitenit.

Probierz vendosi ta zëvendësojë Lewandowskin si kapiten me mesfushorin Piotr Zielinski. 52-vjeçari u bë i pari trajner që hapi luftë me sulmuesin, ende një nga më të mirët në botë.

As rezultatet nuk ishin në krah të tij, pasi dështoi të merrte maksimumin në Ligën e Kombeve, ndërsa nuk kaloi grupin në Europianin e vitit të shkuar duke fituar vetëm një pikë.

Tashmë, në Federatën Polake qarkullojnë edhe zërat për pasuesin, me Jan Urban që mbetet emri më konkret.