Ilir Alimehmeti kërkon rinumërimin e votave në të gjitha KZAZ-të e Qarkut Tiranë, atje ku kandidonte në listën e hapur si pjesë e koalicionit ‘PD-ASHM’.
Alimehmeti kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e votave me dyshimet se ka një deformim të rezultatit zgjedhor, votave preferenciale.
Mjeku i njohur ka kërkuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin që nuk i lejonte kandidatëve që të bënin kërkesa për rinumërim votash, ndërsa KAS më parë hodhi poshtë ankimimet e 4 kandidatëve me pretendimin se sipas Kodit Zgjedhor, këtë të drejtë e kanë vetëm partitë pjesëmarrëse në proces.
I vetmi anëtar i KAS që u shpreh pro rinumërimit ishte Ilir Rusmali, ndërsa 4 anëtarët e tjerë, dy nga pozita dhe dy nga opozita, bashkuan votat dhe rrëzuan ankimet e paraqitura.
Sali Berisha, kreu I PD-së, e konsideroi të ligjshëm vendimin e KAS, duke cituar nene të Kodit Zgjedhor dhe praktikat e mëparshme, ndërsa më herët kishte deklaruar se do të mbështeste kërkesat për rinumërime votash nga kandidatët. Por Berisha ka theksuar se procesi që po ndjek opozita është i ndarë në faza, ku momentalisht po atakohen rezultatet e çertifikuara nga KQZ.
Tashmë pritet që Kolegji Zgjedhor të marrë një vendim, nëse votat preferenciale në Tiranë do të rinumërohen dhe rivlerësohen ashtu sikundër kërkon Alimehmeti, apo do të vijojë e njëjta ‘lojë’ ku të drejtën e hapjes së kutive e kanë vetëm partitë pjesëmarrëse në process.
Gjithashtu një tjetër kandidat i koalicionit ‘PD-ASHM’ që kërkon rinumërimin e votave është Aulon Kalaja. Ky i fundit kërkon rinumërimin në Qarkun e Durrësit, duke pretenduar se është deformuar vota. Kalaja mori mbi 7 mijë vota preferenciale, por 1 mijë më pak se ish-prokurori Ndoj, që garonte në listën e hapur në këtë qark.
Për rinumërimin e votave në Durrës, Kolegjit i është drejtuar edhe Partia e Ballit Demokrat, një prej subjekteve që ishte në koalicion me PD-në.
Fillimisht përmes shortit do të caktohen anëtarët e trupës që do të marrë në shqyrtim kërkesat e paraqitura dhe më pas priten seancat dhe një vendim. Interesant mbetet fakti se çfarë qëndrimi do të mbajnë përfaqësuesit ligjorë të partive, në rastin konkret të PD-së, kundrejt ankimimeve në Kolegj.









