CEREMONIA/ 249-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, E Ngarkuara me Punë VanHorn: Me fat që kemi aleat si Shqipëria

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, vlerësoi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe kontributin e Shqipërisë për paqen dhe sigurinë globale, gjatë ceremonisë për 249-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, të organizuar nga ambasada e SHBA-ve.

“Amerika është me fat që ka një aleat si Shqipëria,” tha VanHorn, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ajo solli në vëmendje një moment prekës nga pjesëmarrja e përbashkët e forcave shqiptare dhe amerikane në stërvitjen ushtarake “DEFENDER-Europe – Immediate Response”.

“U preka thellë kur dëgjova nga një prej partnerëve tanë shqiptarë historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së gati një dekadë më parë. Ai la pas një vajzë të vogël – tani një vajzë e re. I kërkova zotërisë që ndau këtë histori me mua që t’i thoshte se sa thellësisht e vlerësojmë sakrificën e babait të saj,” tha diplomatja amerikane.

Ajo shtoi se ky është vetëm një nga shumë shembuj të sakrificave që shqiptarët kanë bërë për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe për të ndërtuar një botë më të sigurt dhe më paqësore.

Në fjalën e saj, VanHorn përmendi gjithashtu 250-vjetorin e themelimit të Ushtrisë, Marinës dhe Korpusit të Marinsave të SHBA-së, duke i cilësuar ato si simbole të mbrojtjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë që nga koha e Revolucionit Amerikan e deri më sot.