Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, kreut të Kishës Katolike dhe shtetit të Vatikanit, të gjithë sytë tani janë drejtuar nga Konklava, procesi përzgjedhës që do të vendosë emrin e Papës së ri. Kardinalët nga e gjithë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine duke filluar nga data 7 maj për të zhvilluar takimet vendimtare që do të zgjasin deri në arritjen e një vendimi për pasuesin e Françeskut.
Në Kapelën Sistine, ku ruhet një nga trashëgimitë më të çmuara të artit botëror, do të mbahen raunde të njëpasnjëshme votimi. Në varësi të rezultateve, oxhaku i vendosur mbi çatinë e kapelës do të sinjalizojë ecurinë e procesit: tymi i zi do të tregojë se nuk është arritur ende një marrëveshje, ndërsa tymi i bardhë do të shpallë zgjedhjen e Papës së ri.
Pikërisht zjarrfikësit kanë rinstaluar oxhakun që do të sinjalizojë zgjedhjen e Papës së ri.
Papa Françesku, i lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës nga prindër emigrantë italianë, u shugurua prift jezuit në vitin 1969. Gjatë papatit të tij, ai u njoh si një figurë reformuese dhe shpesh e diskutueshme, duke u angazhuar për transformimin e burokracisë së Vatikanit, luftimin e korrupsionit dhe përballimin e sfidave të mëdha të Kishës.
Në muajin shkurt, Papa u shtrua në spital në Romë me diagnozën e bronkitit, i cili më pas u përkeqësua në pneumoni të dyfishtë. Ai u lirua pas 38 ditësh qëndrimi në spital, por vijoi trajtimin në rezidencën e tij në Vatikan. Më 21 prill, në moshën 88-vjeçare, Papa Françesku ndërroi jetë, duke i dhënë fund një epoke që për më shumë se një dekadë la gjurmë në historinë e Kishës Katolike.
Procesi për zgjedhjen e pasuesit të tij pritet të jetë i mbushur me diskutime intensive dhe vendime të rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të Vatikanit dhe më gjerë, të botës katolike.









