PARALAJMERIMI/ Ndryshim themelor i dukshëm në politikën e jashtme të SHBA – Epoka e dominimit botëror ka mbaruar!

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance ka paralajmërur gjatë një fjalimi në Akademinë e Marinës, një ndryshim themelor në politikën e jashtme të vendit. Ai ka pranuar se në kohën e tanishme, dominimi amerikan i botës ka mbaruar. 

“Çfarë po shohim nga administrate Trump është një ndryshim brezi në politikë me ndikime të thella për punën e secilit prej jush.

ShBA ishte një superfuqi pa rival për një kohë të shkurtër pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por skena botërore ka ndryshuar që atëherë. Era e dominimit të pakontestueshëm amerikan ka përfunduar. 

Sot ne përballemi me kërcënime serioze nga Kina, Rusia dhe shtete të tjerë që janë të vendosur të na mundin në çdo fushë – nga satelitët te zinxhiri i furnizimit por edhe infrastruktura jonë e komunikimit”, citohet ai.

“Newsweek” citon një ekspert, profesorin e universitetit të Michigan, Javed Ali, sipas të cilit ky fjalim mund të jetë: artikulimi më i qartë i politikës së jashtme të administratës Trump.

Sipas Vance, politika e jashtme amerikane e 30 viteve të fundit dështoi të kuptonte mjedisin global, të konsideronte specifikat historike, duke ndërtuar strategji voluntariste në vend se të sillej si një fuqi që e imponon drejtësinë përmes realizmit:

“Sa e vështirë do të ishte të ndërtoje disa demokraci në Lindjen e Mesme? Epo, thuajse e pamundur dhe nga sa rezultoi, e kushtueshme në mënyrë të pabesueshme”

Ky nuk është një moment posaçërisht i veçantë për këtë politikë të jashtme, që lidhet ngushtësisht me disa fanatikë të amerikanocentrizmit. Ka më shumë gjasë që ky është një reflektim i gjatë brenda SHBA që po rivlerëson çdo gjë që bëri në këto dekada, duke marrë leksionin më të hidhur të mundshëm: bota nuk mund të ndryshohet. Shoqëritë nuk mund të plazmohen sipas një modeli. E më keq akoma: E Mira dhe e Drejta nuk janë të vetvetishme. Nuk janë universale, ato janë kaq relative. Liria nuk është virtyti më i lartë për njeriun.

Është një leksion dramatik, në mos tragjik për një shtet që ka qenë përgjegjës për punët e kësaj bote, të cilën naivisht besoi se mund ta përmirësonte.