Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.
Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit.
Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.
Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997
Raportimi sipas medias gjermane :
Një aksident tragjik ka ndodhur në Gjermani mëngjesin e sotëm, ku kanë vdekur 3 shqiptarë. Një furgon me 9 persona në bord ka dalë nga rruga dhe është përmbysur disa herë. Për pasojë kanë ndërruar jetë një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç.
Sipas mediave gjermane, 6 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë në spital. Ata janë të moshës midis 20 dhe 66 vjeç. Po sipas mediave vendase, furgoni drejtohej nga një 22-vjeçar.











