Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka sjellë në vëmendje një histori të veçantë që simbolizon qëndrueshmërinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së ndër vite.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada amerikane ka theksuar se miqësia 104-vjeçare mes dy vendeve është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe është forcuar ndër breza, pavarësisht sfidave historike.
Si dëshmi e kësaj lidhjeje të veçantë, ambasada ka publikuar historinë e vulës zyrtare amerikane, e cila sot ruhet në korridoret e saj në Tiranë dhe daton që nga vitet ’30. Kjo vulë u kthye në simbol të rezistencës dhe besnikërisë gjatë periudhës së izolimit të Shqipërisë.
Pas pushtimit të Shqipërisë në vitin 1939 dhe mbylljes së Legatës Amerikane, çifti shqiptar Loni Adami dhe bashkëshortja e tij Andromaqi rrezikuan gjithçka për të fshehur dhe mbrojtur vulën zyrtare amerikane. Për më shumë se katër dekada, ata e ruajtën atë në fshehtësi, duke e mbajtur të paprekur gjatë viteve të diktaturës.
Kur marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u rivendosën, pas rënies së regjimit komunist, familja Adami zbuloi vendin ku ishte fshehur vula në bodrumin e Kancelarisë Amerikane.
Sot, ajo vulë qëndron ende në ambientet e ambasadës si një kujtim i gjallë i një historie miqësie dhe besnikërie që i ka rezistuar kohës.
“Një miqësi që historia nuk mundi ta prishte”, ishte mesazhi i Ambasadës Amerikane, duke nënvizuar lidhjen e fortë mes dy vendeve gjatë më shumë se një shekulli marrëdhëniesh.









