Breshëri pyetjesh nga mediat botërore për projektet e Kushner në Shqipëri – SPAK zbardh qëndrimin: Nuk ka hetim ndaj dhëndrit të Trump

Interesi i mediave ndërkombëtare për projektet e zhvillimit turistik në bregdetin shqiptar, të lidhura me emrin e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, ka sjellë një valë kërkesash për informacion drejtuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Mediat prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë Fox News, CNN, The New York Times, CBS News, The Times dhe Anadolu Agency, i kanë kërkuar SPAK-ut sqarime nëse ekziston ndonjë procedim penal apo hetim lidhur me projektet turistike në zonat e Sazanit, Zvërnecit dhe Vjosë-Nartës, si dhe për ndryshimet ligjore të miratuara gjatë vitit 2024 që prekën statusin e disa zonave të mbrojtura.

Në përgjigjen zyrtare, SPAK ka bërë të qartë se nuk ka asnjë hetim të hapur që lidhet me Jared Kushner apo me ndonjë projekt të lidhur me të.

Prokuroria e Posaçme ka sqaruar se ka regjistruar një hetim, por ai nuk ka lidhje me projektet apo kompanitë e përmendura nga mediat ndërkombëtare. Për shkak të sekretit hetimor, SPAK ka deklaruar se nuk mund të japë detaje të tjera mbi çështjen në këtë fazë.

Mediat e huaja kanë kërkuar gjithashtu informacion nëse SPAK po heton transaksionet e tokave në zonat bregdetare, ndryshimet e statusit të mbrojtjes së territoreve dhe nëse ka pasur masa të sigurisë mbi kompani të lidhura me zhvillime turistike.

Një tjetër pikë e ngritur nga mediat ka qenë edhe pretendimi për sekuestrimin e llogarive bankare të kompanisë Albania Land Development, por SPAK e ka mohuar këtë informacion, duke deklaruar se nuk ka urdhëruar asnjë masë të tillë.

Në përgjigjet e dërguara për mediat ndërkombëtare, Prokuroria e Posaçme ka theksuar se çdo informacion tjetër për hetime në vijim nuk mund të bëhet publik për shkak të rregullave të konfidencialitetit të procedurave paraprake.

Interesi ndërkombëtar është përqendruar veçanërisht te projektet turistike të planifikuara në zonat bregdetare shqiptare, përfshirë ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, pas debateve publike dhe kundërshtimeve nga organizata e qytetarë lidhur me ndikimin e mundshëm në mjedis dhe statusin e zonave të mbrojtura.

SPAK, ndërkohë, ka përsëritur qëndrimin se nuk ka asnjë procedim penal ndaj Jared Kushner dhe as ndaj ndonjë projekti të lidhur me të, duke sqaruar se hetimi i regjistruar nga institucioni ka një objekt tjetër dhe nuk lidhet me këto investime.