Tragjedi në Ksamil/ Gjendet i mbytur peshkatari – Viktima e dytë nga moti i keq

Një tjetër viktimë është shënuar si pasojë e motit të keq që goditi jugun e vendit. Në afërsi të ishujve të Ksamilit është gjetur i pajetë në det peshkatari Mihal Zoi, 61 vjeç.

Sipas të dhënave paraprake, 61-vjeçari dyshohet se ka humbur jetën nga mbytja, ndërsa gjatë kërkimeve policia ka gjetur edhe mjetin e tij lundrues të fundosur. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, në kohën kur zona u përfshi nga stuhi të forta dhe kushte të rënduara atmosferike.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Deri tani, pista kryesore është mbytja aksidentale si pasojë e motit të keq, ndërsa po verifikohet edhe mundësia e vetëmbytjes.

Sipas burimeve, Mihal Zoi ishte i divorcuar, ndërsa fëmijët e tij jetojnë në Greqi. Në Shqipëri ai kishte vetëm një motër. Policia vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të kësaj tragjedie.